Prishtina kërkon fitoren pas tri ndeshjeve

Futbollistët e Prishtinës do ta kërkojnë fitoren ndaj Vëllaznimit pas tri ndeshjeve rresht pa fitore këtë edicion në Vala Superligën e Kosovës.

Prishtina në tri ndeshjet e fundit, ka regjistruar një humbje dhe dy barazime. Prishtina në dy ndeshjet e fundit, është udhëhequr nga ish-trajneri i Skënderbeut dhe Tiranës, Mirel Josa, shkruan sot Koha Ditore.

Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Vëllaznimit, zhvillohet, të mërkurën (sot), në Drenas prej orës 14:00 dhe i takon xhiros së nëntë të kampionatit të Kosovës. Si Prishtina ashtu edhe Vëllaznimi, kanë tubuar nga 12 pikë, por ekipi gjakovar ka goldallim më të mirë se bardhekaltrit.

Krahas këtij dueli, të mërkurën (sot) në të njëjtën kohë, zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera të kësaj jave. Kampionia në fuqi, Trepça ’89, e pret në shtëpi skuadrën e Besës, derisa Drenica në Skenderaj do të përballet me Vllazninë e Pozheranit.

Vllaznia këtë edicion është debutuese në elitë dhe është e fundit në tabelë, me vetëm tri pikë të grumbulluara. Me këto tri ndeshje, do të përfundojë xhiroja e nëntë e Vala Superligës. Xhiroja e dhjetë do të zhvillohet gjatë vikendit.