E duan në Premierligë

Ky mund të jetë sezoni i fundit i Valon Berishës në Austri, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti kosovar po luan me sukses në Red Bull Salzburg dhe paraqitjet e tij brilante u kanë rënë në sy klubeve evropiane.

Prej tyre përfaqësuesin kosovar e pëlqejnë edhe në Premierligë.

Në fakt, ai ishte bërë objektiv i Newcastlet dhe Leicesterit në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës, por në fund nuk ishte realizuar transferimi.

Në të kaluarën, kur ishte më i ri, Berisha kishte qenë në prova tek Chelsea, Manchester City dhe Aston Villa, por ëndrra e tij për të luajtur në kampionatin anglez mund të bëhet realitet tash.

Kartoni i mesfushorit kualitativ vlerësohet 12 milionë funte, respektivisht afro 15 milionë euro dhe ai mund të shitet për këtë shifër në janar të vitit 2018 ose në verën e ardhshme.

Madje, sipas “Shields Gazette”, Newcastle po vazhdon ta mbajë nën vëzhgim Berishën, sa që ka dërguar edhe skautë për ta shikuar atë duke luajtur në Europa League ndaj Vitoria Guimaraes.

24-vjeçari është pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës.