Dalja në Evropë nuk i bën klubet evropiane

Besa e Pejës është skuadra e vetme që nuk ka bërë asnjë lëvizje deri tash. E as që pritet të bëjë shumë deri në fund të afatit kalimtar të verës. E prekur edhe nga kriza e stinorit të shkuar, Besa ka njoftuar se do të paraqitet me lojtarë të rinj, të nxjerrë nga shkolla e vet e futbollit.

Njëmbëdhjetë skuadrat e tjera të Superligës në futboll, kanë qenë goxha aktive. E gati çdo transferim që kanë bërë është përcjellë me mesazhin se po bëhen gati për dalje në garat e Evropës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por, njohës të kësaj loje dhe të vet klubeve kosovare thonë se kjo rrugë e shkurtër drejt Evropës nuk është zgjidhje.

Sipas tyre, klubet para së gjithash duhet të bëhen evropiane për nga organizimi, qëndrueshmëria financiare e infrastruktura. Investimi në shkollat e futbollit, është një tjetër faktor që këto skuadra i bën të duken evropiane.

Trepça ’89 dhe Prishtina shijuan europën për dy ndeshje, por që nuk mund të jetë e mjaftueshme për tu zhvilluar si një klub europian, përpos mësimit të mirë që kanë marrë.