SPECIALE: Futbollistët e huaj që erdhën me shumë bujë, por u larguan pa e luajtur edhe një ndeshje (FOTO)

Yanne Mavoungou (Gaboni) dhe Engobo Iyenze (Kinshasa, Republika e Kongos) janë larguar nga skuadra e Vllaznisë së Pozheranit.

Për ta u tha se janë larguar pa e luajtur për shkak se nuk kanë arritur të përmbushin pritshmëritë, përkundër që ishin transferuar me bujë të madhe mediatike.

Por, këta nuk janë futbollistët e vetëm të huaj që u larguan nga vendi ynë pa e luajtuar as edhe një ndeshje të vetme, shkruan Gazetasheshi.com.

Skuadrat kosovare vazhdimisht përballen me probleme të tilla, derisa sjellin në skuadër futbollistë të huaj duke i prezantuar si përforcime “bombastike” dhe me një CV mjaft të pasur por që largohen pa lënë ndonjë gjurmë, madje pa e shijuar as edhe një ndeshje zyrtare apo ndonjë miqësore.

Në vazhdim Gazetasheshi.com ju sjell disa nga transferimet e dështuara të klubeve kosovare:

Ronaldo, Da Conceição, Geoffrey Chinedu Charles, Paulin Atsama, Demir Avdiçi tek Trepça ‘89

Trepça ’89 ishte kampione edhe sa i përket transferimeve të futbollistëve të huaj, por që në këtë aspekt doli e humbur. Dy brazilianët Ronaldo dhe Da Conceição erdhën me shumë bujë, por që u larguan pa e luajtuar as edhe një ndeshje të vetme, shkruan Gazetasheshi.com.

Pa asnjë ndeshje të vetme të luajtuar u larguan dy sulmuesit afrikan Geoffrey Chinedu Charles dhe Paulin Atsama që erdhën me shumë bujë.

Një tjetër emër i madh në afatin kalimtar të janarit ishte edhe sulmuesi nga Novi Pazari Denis Avdiç, por që nuk përmbushi pritshmëritë dhe u largua pa shumë bujë, e cila ishte e zhurshme gjatë ardhjen së tij dhe prezantimit.

Enize Emmanuel, Richard Chinedu, Okonkwo Azuka Kenneth tek Prishtina

U paralajmërua ardhja e tyre tek klubi bardh e kaltër, por pa as një sukses. Futbollistët afrikanë të cilët u nisën me “izen” e menaxherit Ogunpitan Adebola u “zhdukën” pa gjurmë fare.

Arleison Martinez dhe Cristian Valencia Mosquera – Llapi

Llapi kishte prezantuar dy futbollistët kolumbian para publikut të tyre gjatë një ndeshje kontrolluese para fillimit të stinorit pranverorë, duke u uruar atyre një mirëseardhje të ngrohtë edhe përmes faqes së klubit.

Dy futbollistët kolumbian kishin ardhur me ndërmjetësues, të cilët edhe erdhën në Podujevë për të vëzhguar talentë, por lerë që nuk e bënë një gjë të tillë, por edhe morrën me vete “përforcimet” e mëdha, pasi ata ishin larg pritshmërive të stafit teknik, shkruan Gazetasheshi.com.

Luis Garcia, Xavier Espinosa, Kevin Basala tek Gjilani

Gjilani bëri një merkato të çmendur verën e shkuar me futbollistë të huaj. Kuq e bardhët transferuan tre futbollistët portugez Luis Garcia, Xavier Espinosa dhe Jorge Teixeria, por vetëm ky i fundit mbijetoi për disa ditë, pasi dy të parët u larguan pas vetëm disa seancave stërvitore.

Gjilanasit gjithashtu prezantuan edhe ‘super përforcimin’ Kevin Basala për të cilin u tha se ka luajtur në Përfaqësuesen e Gjermanisë me shumë emra të njohur, por që u largua shumë shpejtë, madje ai ishte larg, shumë larg pritshmërive të kuq e bardhëve, shkruan Gazetasheshi.com.

Yasine Se Salem dhe Can Gokha tek Besa

Besa e Pejës e cila pati shumë problem me futbollistë gjatë edicionit të shkuar, gjeti kohë edhe për të transferuar futbollistë të huaj. Pejanët prezantuan dy futbollistët francez Yasine Se Salem dhe Can Gokha, të cilët siç duket u larguan ende pa u akomoduar mirë, derisa CV-ja e famshme e tyre mbeti vetëm një letër e shkruar dhe e hedhur poshtë.

Mohamed Karim dhe Joel Deji Mayowa tek Liria

Liria prezantoi gjatë dimrit katër futbollistë të huaj, por vetëm dy prej tyre arritën të mbijetonin. Odi Henry Chibuze dhe Asare Richards kanë luajtur rregullisht, ndërkohë Mohamed Karim dhe Joel Deji Mayowa e provuan fanelën e Lirisë vetëm në prezantimin e tyre, shkruan Gazetasheshi.com.

Thierry Kiesse dhe Hristian Denkovski tek Ferizaj

Afrikani, Thierry Kiesse u larguar nga Ferizaj pa e zhvilluar as edhe një ndeshje me këtë skuadër, shkruan Gazeta Sheshi. Përkundër që erdhi me shumë bujë dhe me ndërmjetësues ai nuk arriti që as edhe një herë ta mbajë të veshur fanelën e Ferizajt.

Pa e veshur as edhe njëherë fanelën e Ferizajt u largua edhe përforcimi i madh i kësaj skuadre Hristian Denkovski. Për të u raportuar se ka luajtur në skuadra të mëdha europiane siç është edhe Ajax, por që nuk arriti të luajë as edhe për KF Ferizajt në Superligën e Kosovës.

Arleison Martinez dhe Alan Ferreira tek Drita

Dy futbollistët e huaj erdhën tek bardh e kaltërit gjatë afatit kalimtar të janarit, por që nuk patën “jetë të gjatë”.

Sulmuesi kolumbian, Arleison Martinez si dhe qendërmbrojtësi brazilian, Alan Ferreira u larguan nga Drita pa e zhvilluar asnjë ndeshje, megjithëse ishin prezantuar si përforcime të bujshme së bashku me ardhjen e trajnerit Ismet Munishi atë kohë.

Martinez më pas provoi fatin tek Llapi, por që gjithashtu nuk arriti të shijojë Superligën as aty.

Arther Bentil, Moubarack Hambe, Arebamen Okojie tek Trepça

Trepça angazhoi një ekip të tërë në afatin kalimtar të janarit, por që as përforcimet e huaja nuk u hynë në punë. Madje disa prej tyre nuk zhvilluan as edhe një minute dhe nuk dihet nëse kanë arritur ndonjëherë në Kosovë, por vetëm që u prezantuan tek ‘xehtarët’.

Ajo që është e sigurtë Theo Fodjo (portier) dhe Ferduinand Wilson (mesfushor) kanë zhvilluar disa ndeshje me ekipin nga “Adem Jashari”.

Një praktikë aspak e mirë për klubet kosovare që marrin futbollistë të huaj, i prezantojnë si përforcime “bombastike” dhë në fund ikin pa lajmëruar fare.

Përgatiti: Gazeta Sheshi