Prishtinës i “zgjaten veshët”, punimeve në stadium s’po u shihet fundi

Ndeshjen e parë si vendas në Europa Ligë kundër suedezëve të Norrkoping, KF Prishtina ishte detyruar ta luante në Mitrovicë. Kjo për shkak të punimeve që po kryhen tash e një kohë në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Ndërsa aktualisht i vetmi stadium i pranuar nga UEFA është ai “Adem Jashari” në Mitrovicë. Në këtë stadium, falë presionit nga shtëpia më e madhe e futbollit në Evropë, punimet e filluara në prill përfunduan për 45 ditë, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Ndërsa 2.3 milionë euro kishte kushtuar renovimi që e bëri “Adem Jasharin” stadium me standarde të UEFA-s.

Por, as gati 4 milionë euro të shpenzuara deri tash, e as më shumë kohë se në Mitrovicë, nuk kanë mjaftuar që kryeqyteti të ketë stadium për ndeshje ndërkombëtare.

Muaji gusht ka qenë afat për përfundimin e renovimit.

Por një muaj pas kësaj deklarate të ministrit Kujtim Shala, shpresat që “bardh e kaltrit” të nisin sezonin në shtëpinë e tyre janë shuar.

Kjo pasi për kompletimin e renovimit do të duhen para dhe kohë shtesë.

Të “hendikepuar” nga ky fakt, ndihen në KF Prishtina, të cilët me shumë gjasë sezonin do ta nisin në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq.

Remzi Ejupi, President i KF Prishtina, thotë se “pa u ndier dora e shtetit për sportin” nuk do të ndryshojë asgjë, ndërsa shton se as Ministria nuk e di se kur do të jetë i gatshëm stadiumi.

Në Komunën e Prishtinës, e cila kishte ndarë 1 milion euro për kontratën fillestare, thonë se duhen edhe 4 milionë euro për të përfunduar stadiumin, sipas kërkesave shtesë të kërkuara nga UEFA.

Ndërsa shtojnë se tani gjithçka varet nga ministria, e cila duhet të paguajë 4 milionët shtesë.

E asnjë përgjigje për renovimin e stadiumit të Prishtinës nuk e kanë dhënë në Ministrinë e Kulturës.

Gazetarët që e kanë përcjellë renovimin e stadiumit nga fillimi thonë se ai është përcjellë me probleme nga fillimi, çka ka bërë që kosto e renovimit të arrij shumën e8 milion eurove.

Bujar Mehmeti, Kryeredaktor i Sportit në KTV, thotë se mungesa e një stadiumi në kryeqytet, pos KF Prishtinës dhe përfaqësues, i sjellë shpenzime shtesë dhe probleme edhe gazetarëve e tifozëve.

E zvarritjet dhe afatet shtesë nuk u kanë pëlqyer tifozëve “Plisat”, të cilët janë të pakënaqur që edhe në sezonin e ri duhet të udhëtojnë për ndeshjet si vendas.

Fajtorë për vonesat e problemet në renovimin e stadiumit, sipas Albert Kastratit, kryetar i tifogrupit “Plisat”, janë qeveria, komuna dhe kryesia e klubit.