Lëndimi i kolegut, “dhuratë” jetësore për Manxhollin

Ëndrra e Enis Manxhollit për t’u paraqitur me ndonjë skuadër në garat evropiane po venitej dalëngadalë. Si i ri nuk e kishte fatin për shkak të izolimit të futbollit kosovar, shkruan sot Koha Ditore.

E së fundi, kur skuadra e tij Trepça ’89 fitoi të drejtën e garimit në Ligën e Kampionëve, ai ishte portier i dytë dhe pa shumë gjasa të paraqitej. Portier i parë ishte Bledar Hajdini, reprezentues i Kosovës.

Por pak ditë para ndeshjes debutuese, fati ia ktheu shpinën Hajdinit dhe i buzëqeshi Manxhollit. Hajdini u lëndua në stërvitjet e fundit përgatitore, për çka Manxholli zuri vend mes portave.

Me këtë, 31-vjeçarit iu plotësua ëndrra e të luajturit në kupa evropiane.

Manxholli në fakt mbrojti në të dy ndeshjet e humbura ndaj Vikingurit të Ishujve Faroe, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Për vete ka realizuar ëndrrën, por thotë se i vjen shumë keq që kjo ndodhi në kurriz të Hajdinit.