IFK Norrkoping sërish mund të ketë punë me shqiptarë

IFK Norrkoping e ka shënuar fitoren e tretë në kualifikimet e Europa Leagues. Pas dy fitoreve ndaj FC Prishtinës, klubi i madh suedez e ka fituar edhe ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues ndaj Traku FK me rezultat 2:1. Me këtë fitore Norrkopingu i ka rritur shanset të shkojë në rrethin e tretë, ku mund të ketë punë sërish me shqiptarë.

Suedezët mund të përballen me skuadrën mike të FC Prishtinës, Shkëndijën nga Tetova.

Zëri shkruan se klubi kuq e zi është afër kualifikimit në rrethin e tretë pasi të enjten mposhti Helsinkin me rezultat 3:1 në ndeshjen e parë, duke e bërë kështu hapin e madh kualifikues në raundin tjetër.

Dhe, nëse shkon në rrethin e tretë, tetovarët aty mund ta sfidojnë Norrkopingun, ndaj të cilit do të kërkojnë fitore për vete, por edhe “për FC Prishtinën”.

Ndërsa, Skënderbeu i Shqipërisë nëse e kalon Kairat Almaty, atëherë në rrethin e tretë do ta takojë fituesin e çiftit, Shamrock Rovers vs Mladá Boleslav.