Menaxhim skandaloz në Superligë, 86 të larguar për vetëm 200 mijë euro

Probleme organizative, financiare, por jo vetëm. Klubet elitare të kampionatit shqiptarë nuk po vuajnë thjesht funksionimin si një biznes i mirëfilltë, por në vitin 2017, ato më shumë se kurrë nuk dinë të menaxhojnë as asetet e tyre.

FGFGF

Jemi më 3 korrik dhe nëse i hedh një sy tabelës së lëvizjeve të merkatos verore (botohet çdo ditë në “Panorama Sport) në 10 klubet e Kategorisë Superiore, rezulton deri më tani se 86 lojtarë janë larguar. Një shifër kjo që me siguri do të shkojë në rritje derisa të mbyllet merkatoja, por nuk është ky problemi i klubeve.

Ajo që duket e pabesueshme në këtë situatë kaotike, ka të bëjë me faktin se si janë larguar 99% e këtyre lojtarëve me parametra zero. Natyrisht, mes tyre ka të dalë jashtë planeve të klubeve, por handikapi më i madh mbeten kontratat e përfunduara dhe sigurisht lëvizja e lojtarëve pa asnjë dëmshpërblim.

Ramadani

Një mungesë e qartë strategjie dhe këtë e konfirmon fakti që nga 86 lojtarë të larguar, vetëm njëri prej tyre është shitur. Bëhet fjalë për mesfushorin e Kombëtares U-21, Ylber Ramadani, i cili u transferua te Velje në Ligën e Dytë të Danimarkës për 200 mijë euro.

Ramadani-u21

Kësisoj, Partizani është i vetmi klub që deri më tani ka përfituar nga largimet, ndërsa të tjerët asnjë para, për të mos thënë që disa rrezikojnë të japin sërish, nisur nga mungesa e korrektesës në kontratat me lojtarët e skarcuar.

PRECEDENTI FLAMURTARI

Nëse ka një shembull negativ se si keqmenaxhohet merkatoja është pa dyshim Flamurtari. Kur duhen edhe dy muaj nga starti i kampionatit, vlonjatët kanë larguar sa për dy ekipe, plot 18 lojtarë.

Këta të fundit ose kanë dalë jashtë planeve të klubit, ose nuk kanë dashur të qëndrojnë më në Vlorë, por një gjë është e sigurt: Flamurtari nuk ka përfituar asgjë. Kjo pa dyshim që është për të vënë duart në kokë, për më tepër që ndodh në një klub emblemë të futbollit shqiptar.

Telushi

Dhe sikur të mos mjaftojnë largimet pa kriter, sot Flamurtari diskuton të ketë në përbërje edhe një prej xhevahirëve të tij, Danilo Alvesh. Pra, jo vetëm që nuk përfitoi asgjë nga largime si Bruno Telushi apo Donjet Shkodra, që i donte gjithë Superiorja, por rrezikon të humbasë edhe një prej sulmuesve më të mirë të huaj të viteve të fundit në Superiore.

shkodra alvesh

Ky është pikërisht një shembull konkret, se si klubet shqiptare jo vetëm gabojnë me afrimet, por s’dinë të menaxhojnë as lojtarët që kanë për t’i shitur në ndonjë skuadër europiane.

GAFA E SKËNDERBEUT

Në gjashtë vitet e fundit klubi i Skënderbeut u bë shembull për menaxhimin e lojtarëve. Transferoi Peter Olainkën në Belgjikë dhe Bernard Berishën në Rusi (në total fitoi 1.4 milionë euro).

olainka

Mirëpo, gafa më e pafalshme që bëri ishte pikërisht ajo me Liridon Latifin dhe Sabjen Lilajn në verën e vitit të kaluar. I huazoi te Kukësi për ndeshjet e Ligës së Europës dhe më pas në janar i “dogji” për shkak se nuk mund të luanin në një skuadër të tretë brenda një sezoni (rregullorja e FIFA-s).

Latifi gol Kukesit

Një gabim që pati kosto të madhe, pasi dy mesfushorët mund të shiteshin në atë periudhë merkatoje.

VLLAZNIA E VULOSI

Mes 80 largimeve të deritanishme është edhe sulmuesi që shkëlqeu te Vllaznia, Rubin Hebaj, i cili firmosi me klubin slloven, Domzhale. Por, ky transferim nxori në pah një fakt skandaloz. Vllaznia jo vetëm që nuk përfitoi asnjë para, por kishte vendosur një klauzolë në kontratë: “në rast të një oferte jashtë Shqipërisë, lojtari lihet i lirë, pa asnjë dëmshpërblim”.

hebaj domzhale

A mund të ndodhte kjo në kohën kur klubi shkodran menaxhohej nga ish-presidenti Valter Fushaj?! Ky i fundit, një dekadë më parë, i dha një leksion tregut shqiptar, duke transferuar Xhevahir Sukajn, Admir Telin dhe Gilman Likën te Haxhetepe në Ligën e Dytë turke.

Që në vitin 2008 përfitoi afro 250 mijë euro, ndërsa tashmë në 2017- ën, Vllaznia lë të lirë një talent si Hebaj, duke i vënë vulën një keqmenaxhimi. Dhe kur këtë problem e kanë klubet elitare, çfarë mund të thuash për ekipet e sapongjitura në Superiore. Gjithçka konfuze, në një kampionat ku fjala strategji është e huaj.