Shotani ka hisen e tij në suksesin e Trepçës ’89

Më 17 qershor të vitit 2016, Bekim Shotani u emërua trajner i Trepçës ’89. Një vit më vonë, më 17 qershor të vitit 2017, vushtrriasi u emërua trajner i Drenicës.

Shotani shpreson që me Drenicën të ketë fillimin që e kishte me Trepçën ’89. Shpreson po ashtu që Drenica fundin e edicionit të ardhshëm, 2017\18, ta ketë të përafërt me fundin e “xehetarëve” në edicionin e kaluar, 2016\17, shkruan sot Koha Ditore.

Shumë gjëra kanë ndryshuar në futbollin kosovar në mes dy 17 qershoreve të fundit. Ndër të tjera, Trepça ’89 e ka fituar titullin e parë të Kosovës në histori dhe për herë të parë skuadrat kosovare janë licencuar për gara evropiane dhe kanë mësuar kundërshtarët e parë evropianë.

Nderin për të prezantuar për herë të parë Kosovën në Kupa Evropiane në futboll e pati pikërisht Trepça ’89. Falë suksesit historik, titullit të parë, 89-shi të martën luajti ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Të martën e ardhshme e luan ndeshjen e kthimit në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Shotani e ka hisen e tij në këtë rrëfim.