Këtë e ka bërë vetëm Besa

Besa Famiglia vazhdon ta dominojë plotësisht hendbollin kosovar. Skuadra pejane e ka përmbyllur në mënyrë brilante edhe këtë edicion, duke fituar gjithçka në hendbollin kosovar. Pasi fitoi Kupën e Kosovës, skuadra e kuqe ka arritur të shpallet edhe kampione e Kosovës.

Pejanët të shtunën e kanë fituar edhe ndeshjen e dytë finale të “Play-Off-it” kundër Trepçës me rezultat 37:30, vetëm pak ditë pas triumfit edhe në ndeshjen e parë ndaj mitrovicasve (30:24). Ajo çka e bënë të veçantë këtë edicion për gjigantin kosovar të hendbollit është fakti se arriti ta mbyll një edicion të tërë pa asnjë humbje e madje pa as edhe një barazim të vetëm, raporton “Zëri”.

Kjo është hera e parë në Kosovë që një klub i fiton të gjitha ndeshjet në gara kampionale dhe të Kupës. Ky është titulli i katërt rresht për Besa Famiglian, përkatësisht i njëmbëdhjeti në periudhën e pasluftës, gjë që e bënë këtë klub numër 1 në vendin tonë. Madje, Trepça në njëfarë mënyre ishte e vetëdijshme se nuk do të ketë shpëtim nga Besa Famiglia, pasi para finaleve ishte pajtuar që ndeshjen e parë ta luajë në Mitrovicë, kurse të dytën në Pejë, në mënyrë që t’ua mundësojë pejanëve një festë më të bukur dhe më kuptimplote.