Kremtja e 89-shit rrezikon të bëhet pa lojtarin e 12-të

Festa e grupit të tifozëve mitrovicas “Torcida” ishte e madhe më 2010, kur klubi i futbollit Trepça u shpall kampion. Por e njëjta gjë nuk pritet të jetë edhe më 27 maj, kur Trepça ’89 do ta festojë në stadiumin e vet “Riza Lushta” titullin e kampionit, të parin në histori, të cilin e siguroi të martën pas fitores ndaj Besës 2:1, në Pejë.

Në festën e paralajmëruar pas ndeshjes me Feronikelin, që është edhe e fundit për këtë edicion, do të mungojë “Torcida”, grup që deri vonë përkrahte dy skuadrat e qytetit të Mitrovicës, por së fundi ia ka kthyer shpinën 89-shit, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i klubit Trepça ’89, Abedin Zeka, pranon ndarjen me “Torcidën” dhe ai fton qytetarët mitrovicas që këtë festë ta bëjnë madhështore. Ai i vë faj “Torcidës” për këtë situatë.