Reagim i ashpër nga klubi i përfshirë në video-skandal

Kryetari i Ballkanit, Florim Kryeziu, ka reaguar ashpër pas video-skandalit të sotëm, ku shihet tentim-kurdisja e ndeshjes Ramiz Sadiku-Ballkani.

“Ka mëse nje muaj që klubit tonë po i behen lloj lloj pengesa. Unë si kryetar i KF ‘Ballkani në emër të kryesisë, jam plotësisht me ndërgjegje të pastër para opinionit, dhe para të gjithë atyre që e duan klubin tonë.” ka thënë Florim Kryeziu për TherandaPost, pas lajmit të publikuar sot në disa medie për shitje të lojës.

Ai më tutje ka sqaruar : “Une e pash ate video, të jem i sinqert ne kemi kohë që kërkojmë të publikohet video, që dikur thonin se kinse kemi video te kryetarit duke folur para lojtareve, ndërsa tani doli video që flet vet trajneri, dhe shihet qart skenari në zhveshtore, shihet trajneri që bashkë me ish-drejtorin sportiv në mes te lojtareve duke e ditur se po gjirohen nga nje lojtar, dhe pa pikë turpi deklarojne te tilla gjera. Le te del vetem një anetar i kryesise, qe thote se i kemi thene trajnerit ta leshojë ndeshjen. Kjo ndeshje është zhvilluar me 4 mars, ndersa per fitoren e saj, ne si kryesi i kemi shperblyer lojtaret me premia, ekzistojne te dhenat ne NLB bank. Jemi duke e zhvilluar kampionatin me shume veshtiresi, por jemi te sigurte se do te ja dalim. Kryesia është më e bashkuar se kurrë. Ata që hedhin të tilla manipulime, e kane vendin vetem jasht KF Ballkanit”.

Kjo deklaratë vjen pas raportimit  nga portali Indeksonline, se ndeshja mes Ramiz Sadikut dhe Ballkanit ishte urdhëruar nga kryetari i klubit mysafir që ti falej skuadrës vendase, që është shoqëruar edhe me një video që trajneri Gëzim Hasi ua kumton lajmin se kryetari i klubit KF “Ballkani” Florim Kryeziu  ka dhënë urdhër, që ndeshja duhej të lëshohej dhe se takimin duhej ta fitonte Ramiz Sadiku.

Në portalin Indeksonline shkruante sot gjatë ditë se, Florim Kryeziu kryetar i skuadrës së Ballkanit, e kishte porositur trajnerin e skuadrës së tij, Gëzim Hasin që para ndeshjes të kumtonte lajmin se ndeshja duhej ti falej Ramiz Sadikut.

Në një situatë të pakëndshme, të vështirë moralisht e profesionalisht, trajneri Gëzim Hasi ua kumton lajmin se kryetari ka dhënë urdhër që ndeshja duhej të lëshohej dhe se takimin duhej ta fitonte Ramiz Sadiku.

Megjithatë, Hasi nuk del nga niveli profesional duke iu thënë futbollistëve se ata të zgjedhin këtë situatë dhe nëse duan ta fitojnë lojën, atëherë le ta bëjnë këtë.

Futbollistët e Ballkanit treguan profesionalitet sportiv duke e mposhtur Ramiz Sadikun në terrenin mysafir me rezultat 1-2. Madje njëri nga futbollistët dëgjohet duke thënë se nuk do ta lëshojnë ndeshjen.

Pas kësaj fitoreje në skuadër plasën pakënaqësitë që për pasojë shpien largimin e disa futbollistëve në skuadër. Indeksonline do të iu mbajë të njoftuar edhe më në detaje për këtë rast, njëjtë siç pritet publikimi edhe i skandaleve të tjera në futbollin kosovar.- shkruan portali Indeksonline.