Besa merr një vendim të madh pas akuzave për kurdisje

KF Besa do të marrë iniciativën e para për të quar në prokurori tre lojtarët e saj Arben Beqiri, Fatmir Rexha, Vildan Gutic, të cilët janë suspenduar nga Komisioni Disiplinor për mos angazhim dhe sjellje inerte në ndeshjen ndaj Trepçës, të cilën e humben me rezultat 1:3.

Dyshimet për kurdisje të ndeshjes ndërmjet Besës dhe Trepçës kanë detyruar Komisioni Disoplinor të FFK’së që të suspendojë tre lojtarë të skuadrës pejane Arben Beqiri, Fatmir Rexha, Vildan Gutic.

Sekretari i KF Besës, Egzon Maraj ka thënë se ata do të marrin iniciativën që rastin ta dërgojnë në polici dhe prokurori, pasi besojnë që lojtarët e tyre ishin të pafajshëm.

Ai madje thotë se është mëkat ajo çfarë ka bërë FFK me këta lojtarë të rinj, të cilët kundër Trepçës luajtën ndeshjen e tyre të parë në Superligë.

“Ne kemi biseduar me këta lojtarë, me avokatin dhe nesër do të shkojmë në polici dhe prokuroi e do të japim deklaratat tona. Ne s’kemi marrë asnjë masë ndaj tyre, vetëm do të japim deklaratat tona dhe do të presim deri në fund se çfarë do të ndodhë”, tha Maraj për Express.

“Është mëkat ajo çfarë ka bërë FFK duke i suspenduar këta djem të ri, sepse këta tre lojtarë kanë luajtur ndeshjen e tyre të parë në Superligë, që ka qenë ëndërr e tyre”, tha në fund ai.