“Serbët mburren, por Xhokoviç është shqiptar”

Profesori boshnjak Besim Spahiç ka dhënë një deklaratë bombastike, duke theksuar se tenisti i famshëm Novak Xhokoviç është me prejardhje shqiptare.

“Serbët thonë se Xhokoviçin e kanë sportistin e tyre, duke u mburrur me të, por nuk është e vërtetë. Ai është me prejardhje shqiptare, teksa mbiemri i hershëm i tenistit është Gjokaj. Novak është një katolik shqiptar nga Malësia e Madhe dhe dua të vë në dukje se vëllai i tij quhet Dragan Gokja”, tha Spahiç për portalin rus “Sputnik”.

Më tej, ai ka shtuar: “Dinastia Karagjorgjeviç rrjedh nga fisi shqiptar Klement. Tre Papë të Vatikanit ishin shqiptarë. Nënë Tereza ishte shqiptare, Rober Dojl, senator amerikan, është me prejardhje shqiptare. Momentalisht, në Amerikë janë shtatë senatorë, shtetas amerikanë me prejardhje nga Shqipëria. Gjashtë kryebashkiakë të Çikagos kanë origjinë shqiptare”.

Besim Spahic

Besim Spahiç është profesor i rregullt i Universitetit të Sarajevës dhe njihet si një nga teoricienët më të famshëm në rajon në aspektin politik, gjithashtu merret edhe me publicistikë dhe teori të kulturës.

Xhokoviç konsiderohet si një ndër tenistët më të fortë në botë, aktualisht renditet në vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm ATP. 29-vjeçari ka qëndruar për 223 javë në vendin e parë të klasifikimit botëror, ndër të cilat 122 javë radhazi.