Kjo është komunikata e CAS-it pro Kosovës, kundër Serbisë

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ia ka dhënë një shuplakë të fortë Serbisë. CAS-i e ka refuzuar kërkesën e serbëve për anulimin e vendimit të UEFA-s për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, pasi e ka vlerësuar atë si të pabazë. Drejtuesit e futbollit kosovar e konsiderojnë këtë si një tjetër fitore ndaj serbëve dhe se me këtë rast u konfirmua vendimi i drejtë që e kishte marrë shtëpia e futbollit evropian në maj të vitit të kaluar.

Futbolli kosovar e ka marrë edhe një lajm të mirë të martën. Në fakt, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka refuzuar përfundimisht dhe e ka konsideruar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit të UEFA-s për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Kjo e fundit ishte bërë pjesë e shtëpisë së futbollit evropian më 3 maj të vitit 2016, ndërsa pas 10 ditësh të njëjtën gjë e kishte bërë edhe FIFA duke e afruar në gjirin e saj FFK-në, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Mirëpo, serbët nuk e kishin pritur aspak mirë këtë vendim, duke aluduar se UEFA i kishte thyer rregulloret dhe statutin e saj. Si rrjedhojë, ata kishin shkuar më larg, duke u ankuar në CAS.

Më pas, Federata Serbe e Futbollit dhe UEFA kishin angazhuar avokatë të fortë dhe në fund lëndën e fitoi institucioni më i lartë i futbollit evropian, pasi gjykata më e rëndësishme evropiane e sportit e përkrahu vendimin e UEFA-s për ta pranuar Kosovën.

“Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e ka refuzuar kërkesën e Federatës Serbe kundër UEFA-s. Si rezultat, FFK mbetet anëtar i UEFA-s dhe kjo është e konfirmuar. Paneli i CAS-it ka vlerësuar se UEFA nuk e ka shkelur asnjë rregull dhe e ka pranuar një shtet që është i pavarur, i cili është i njohur nga shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, shumica e vendeve anëtare të UEFA-s, në Kongresin e saj, e kanë votuar pranimin e FFK-së në UEFA. Prandaj, kërkesa e FSS-së refuzohet”, shkruan në vendimin e CAS-it, shkruan “Zëri”.

Feston Kosova

Pa dyshim, e marta mund të konsiderohet një ditë e madhe për futbollin kosovar, pasi u konfirmuar edhe një herë drejtësia, ndërkohë që tash e tutje, Serbia nuk do të ketë asnjë të drejt të përzihet në punët e futbollit kosovar.

“Një lajm tejet i mirë në këtë ditë janari për FFK-në, e cila e fitoi edhe një betejë të fundit kundër shtetit të Serbisë, përkatësisht kundër Federatës serbe. Sapo mora lajmim nga kryetari i UEFA-s, Çeferin, se CAS-i e ka refuzuar si të pabazë kërkesën e Serbisë për anulimin e vendimit për pranimin e FFK-së në UEFA. Kjo ishte përpëlitja e fundit serbe që ta ndryshojë vendimin, por argumentet tona në UEFA ishin më kokëforta sesa dëshira e Serbisë për ta ndaluar pranimin tonë”, ka thënë kreu i futbollit kosovar, Fadil Vokrri, pasi e ka marrë vendimin e shumëpritur, shkruan “Zëri”.

Sipas tij, edhe njëherë u dëshmua se pala kosovare kishte të drejtë dhe se CAS-i e njohu vendimin e UEFA-s si të ligjshëm në favorin e Kosovës, e cila kishte mbetur e izoluar padrejtësisht me dekada të tëra.

“Unë isha thellësisht i bindur se CAS-i do ta sjellë një vendim të tillë, sepse në anën tonë e kishim të drejtën tonë të cilën jo vetëm ne, por edhe miqtë tanë e mbrojtën. Me këtë edhe njëherë u mposht shteti serb, i cili kishte paguar alamet ekspertë për ta zhbërë vendimin e UEFA-s, si dhe iu mbyll goja skeptikëve se gjoja mund të rikthehet vendimi i marrë nga Kongresi i UEFA-s, i mbajtur më 3 maj 2016”, ka shtuar Vokrri.

Pasi u konfirmua përfundimisht se vendimi i UEFA-s është i pakthyeshëm, tash institucioneve përgjegjëse u mbetet të punojnë në avancimin e futbollit kosovar, për ta bindur UEFA-n, CAS-in, por pse jo edhe Serbinë, se vendimi për pranimin e Kosovës ishte potez i qëlluar.