Klubet e Superligës heqin rregullin e futbollistit nën 20 vjeç

Neni 22 i Propozicioneve të Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që një skuadër seniore e të gjitha rangjeve të garave të ketë një futbollist startues të moshës nën 20 vjeç dhe një tjetër rezervist, me gjasë nuk do të ekzistojë më nga stinori i ri.

Është klubi i Llapit që ka dorëzuar në FFK i pari një kërkesë të tillë, derisa është përkrahur edhe nga pjesa dërrmuese e Superligës, shkruan Gazetasheshi.com.

Duke parë insistiminklubeve, shtëpia e futbollit kosovar iu ka dhënë mundësinë atyre që të vendosin dhe në bazë të shumicës që kanë kërkuar ndryshime, atëherë ky rregull pritet të hiqet përfundimisht.

Kujtojmë se shumë klube deri më tash në mungesë të një futbollisti të moshës nën 20-vjeçare që do t’i luante 90 minuta, është dashur që në çerekun e parë të ndeshjes ta kryejnë një zëvendësim të detyruar, duke e larguar lojtarin nën 20 vjet dhe duke e inkuadruar një tjetër më në moshë.

Një problem i tillë në vjeshtë ka qenë më së shumti i theksuar te Feronikeli.