Prishtina gati të transferojë një super futbollistë (VIDEO)

FC Prishtina e ka kaluar me sukses sezonin vjeshtor, gjatë të cilit çaloi vetëm në fazën e sulmit, shkruan zeri.info.

Dhe, prishtinasit po mundohen ta shfrytëzojnë pushimin dimëror për ta gjetur një sulmues adekuat, i cili do ta ndihmonte skuadrën drejt titullit të kampionit.

Gazeta “Zëri” ka mësuar se Bardhekaltrit tashmë janë duke biseduar me një sulmues shumë cilësor, të huaj. Fjala është për rumunin Andrei Cosmin Ciolacu.

24-vjeçari, i gjatë 185 centimetra, është “i frikshëm” para portës kundërshtare dhe di të shënojë gola nga të gjitha pozitat, me një teknikë të mirë dhe “vrasës” për portierët.

Së fundmi, futbollisti i lindur më 9 shtator të vitit 1992 ka luajtur në skuadrën nga Superliga rumune, ASA Targu Mures, së cilës i është bashkuar në fillim të këtij viti.

Mirëpo kulmin e karrierës e kishte arritur tek Rapid Bucuresti, me të cilin kishte shënuar 7 gola në 59 ndeshje në periudhën 2011-2015, derisa për një kohë ishte i huazuar edhe tek Otopeni, në vitin 2012, me ç’rast kishte realizuar 7 gola në 13 ndeshje.

Ndërkaq, në sezonin 2015/16 ishte pjesë e Slask. Ndër të tjera, Ciolacu, i lindur në Bukuresht, një kohë ishte edhe pjesë e Përfaqësueses U-21 të Rumanisë, me të cilën i ka zhvilluar tri ndeshje.