Botërori me 48 ekipe, buzëqeshin Kosova e Shqipëria

Nga viti 2026 Kampionati Botëror mund t’i ketë 48 ekipe. Kjo është ideja më e re e shtëpisë së hulumtimeve të FIFA-s, e cila po mendon ta ndryshojë formatin e evenimentit më të rëndësishëm botëror. Me këtë rast, Kosovës dhe Shqipërisë do t’i shtoheshin gjasat për pjesëmarrje në Botëror, pas 10 vjetësh.

Mënyra më e mirë, e cila do t’i sillte më shumë përfitim Kupës së Botës, do të ishte rritja e numrit të ekipeve nga 32 në 48, një turne me 16 grupe me nga tri ekipe, sipas shtëpisë së hulumtimeve të FIFA-s, e cila pranon se formati i tanishëm me 32 ekipe prodhon kualitet më të lartë të futbollit.

Formati i preferuar i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili është i paraqitur në 64 faqe, analizon pesë opsione të ndryshme për Botërorin e vitit 2026, i cili është Botëror më i afërt kur edhe mund të bëhen ndërrimet e mundshme, shkruan sot gazeta Zëri.

FIFA konkludon se formati me 48 ekipe (16 grupe me nga tre ekipe) do të mundë t’i ofronte vlerat më të prekshme dhe ato më të paprekshmet, thuhet në dokument.

Me më shumë faza eliminuese, në një fazë të re me 32 ekipe, formati me 80 ndeshje, i përfshirë në 32 ditë, do të sillte më shumë transmetues dhe sponsorë dhe do t’i rriste të ardhurat, sugjeron FIFA.

FIFA po ashtu dëshiron që t’i kënaqë tifozët dhe transmetuesit me një orar kreativ të ndeshjeve, të cilat do të përshtateshin me kohën lokale të shteteve përkatëse e jo me atë të shtetit organizues.

Të ardhurat do të rriteshin për rreth 20% të shifrës prej 6.5 miliardë dollarëve, duke përdorur krahasimin me shifrën prej 5.5 miliardë dollarëve, të cilat priten të arkëtohen gjatë Botërorit të Rusisë. Edhe pse shpenzimet e organizimit do të rriten prej 2 në 2.3 miliardë dollarë, fitimi i mundshëm do të rritej deri në 640 milionë, thotë hulumtimi.

FIFA paralajmëron se vendimi që do të merret në mbledhjen e Këshillit më 10 janar 2017 nuk duhet të merret si një vendim në bazë të financave.

“Në vend të kësaj, qëllimi i zgjerimit të Kupës së Botës është që të avancohet vizioni për promovimin e lojës së futbollit, ta mbrojmë integritetin e saj dhe që lojën t’ua sjellim të gjithëve”, thuhet në dokument.

Sidoqoftë, dokumenti nuk e specifikon detajin të cilin e ka kërkuar presidenti i UEFA-s, atë se si do të ndahen 16 vendet shtesë nëpër gjashtë federatat kontinentale. UEFA momentalisht ka 13 ekipe në Botëror, por do ta kërkonte zgjerimin me 15 ekipe, në procesin i cili është duke u zhvilluar më shumë për shpërblimin e Afrikës dhe Azisë.

FIFA është në dijeni se kualiteti i lojës mund të bjerë nëse shtohen 16 nga 211 federatat anëtare të saj.

Kualiteti absolut i futbollit, me ekipe të rangut të lartë, duke luajtur ndaj njëra-tjetrës, më së shumti arrihet nga formati prej 32 ekipesh, format i cili do të mbahet edhe në kampionatet e ardhshme botërore në Rusi (2018) dhe në Katar (2022). FIFA ka thënë se ka bërë prova në 10.000 turne të ndryshëm për të arritur në këtë përfundim.

Mbajtja e Botërorit në formatin e tanishëm është një opsion, por hulumtimet e FIFA-s kanë shfaqur hapur qëllimin e tyre për ndryshim, i cili ishte premtuar nga Infantino gjatë mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar. Ai propozoi për një format me 40 skuadra, format ky i cili do t’i dhuronte Evropës 14 vende.

Infantino tani mendon se formati me 16 grupe me nga tre ekipe është opsioni më i mundshëm.

“Shumica dërrmuese e anëtarëve është në favor të idesë me 48 ekipe, me 16 grupe me nga tri ekipe”, tha presidenti i FIFA-s pas një takimi me disa anëtarë në Singapor.

Infantino më parë promovoi idenë me 48 ekipe, për të luajtur një fazë të hapur eliminuese, për të përfshirë 32 ekipe. Kjo ide dështoi për t’i bindur anëtarët dhe sponsorët partnerë, të cilët kërkonin më shumë siguri, më pak njoftime të shkurtra për udhëtimin e tifozëve dhe një minimum prej dy ndeshjesh për ekip.