Skuadrat e Superligës ‘po vuajnë’ për futbollistë

Thuajse të gjitha klubet e Superligës së futbollit kanë shprehur nevojë për t’u përforcuar me futbollistë gjatë këtij pushimi dimëror me qëllim që t’i kërkojnë më me ngulm objektivat e tyre gjatë sezonit pranveror.

Por, tregu i futbollistëve në Kosovë aktualisht është shumë i varfër, pasi lojtarët kanë kontrata me klube, ndërsa edhe më të varfër e bën një rregullore e FFK-së, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo ka bërë që vetëm tri skuadra ta bëjnë aty-këtu ndonjë përforcim. Ferizaj ka konfirmuar angazhimin e tre lojtarëve: Hristian Denkovskit, Shpëtim Babajt dhe Dardan Miftarit.

Llapi zyrtarisht është përforcuar me Mirlind Dakun dhe Cristian Valencia Mosquera, kurse Trepça ’89 e ka angazhuar Enis Manxhollin, sikurse Feronikeli që e ka marrë Labinot Osmanin. Ilir Blakqori thuhet të ketë kaluar në Prishtinë, derisa Besa ka arritur marrëveshje me Fisnik Zukën e Shkupit, por ende nuk e ka prezantuar.

Rasti me futbollistin shkupjan tregon se shumica e klubeve kokën e kanë kthyer kah tregu i jashtëm i futbollistëve, ku po kërkojnë përforcime sa më adekuate – të mira dhe të lira.