Vijnë ‘kërcënimet’ e para të Vëllaznimit për Prishtinën

Futbollisti i Vëllaznimit, Kushtrim Gashi, është optimist se skuadra gjakovare do ta eliminojë Prishtinën nga garat e Kupës.

Pavarësisht se Prishtina vlerësohet si skuadra më e madhe në vend dhe në edicionin e fundit është mjaft e përforcuar, Gashi nuk ia ka frikën aspak kësaj skuadre dhe beson se do të jetë skuadra e Vëllaznimit ajo që do ta vazhdojë rrugëtimin në Kupë.

“Nëse ne nuk do të mendonim se kemi potencial për ta mposhtur Prishtinën apo një skuadër tjetër elitare, nuk do të merrnim pjesë fare në garën e Kupës. Prandaj, me një punë të madhe në fazën përgatitore dhe me seriozitet e angazhim maksimal në ndeshje do ta eliminojmë Prishtinën dhe të vazhdojmë rrugëtimin në këtë garë”, ka thënë Gashi.

Më pas lojtari i njohur ka folur edhe për objektivat e skuadrës kuqezi në Ligën e Parë. Ish-futbollisti i Istogut është mjaft optimist se Vëllaznimi do të rikthehet në Vala Superligën e Kosovës në futboll, kurse konkurrente në këtë garë i sheh skuadrat që sezonin vjeshtor e mbyllën në pjesën e sipërme të tabelës.

Vëllaznimi dhe Prishtina ndeshen më 18 shkurt në Gjakovë në kuadër të 1/8 të finales së Kupës. /Gazeta Sheshi/