Arsyeja interesante që i solli sukses 89-shit

Shpëtim Idrizi, kapiten i klubit të futbollit Trepça ’89 nga Mitrovica, beson e shpreson se do të arrijnë qëllimin në fund, të stolisen me titullin e kampionit. Mitrovicasit janë kampionë vjeshtorë me 39 pikë, tri më shumë se Llapi nga Podujeva, katër se Prishtina, pas 17 jave në Vala Superligën e Kosovës.

“Me largimin e shumë lojtarëve ambiciet tona si klub kanë qenë të jemi në 4-shen e madhe, por assesi nuk kemi dyshuar në potencialin dhe kualitetin e lojtarëve që i kemi dhe ky vetëbesim u shpërblye në mënyrën më të mirë”, thotë Idrizi për Bota Sot.

“Mendoj që e veçanta e Trepçës ‘89 ka qenë se jemi një grup shumë homogjen. Ajo çka është më rëndësi, kryesia e klubit me shtabin teknik nuk i kanë ngarkuar lojtarët që në çdo mënyrë të jemi kampion, kjo iu ka dhënë lojtarëve një liri me shpalos gjithë kapacitetin dhe talentin e tyre. Tash mbase kemi arritur deri këtu, do të mundohemi ta ndjekim titullin, por prapë jo me çdo kusht”, u shprej kapiteni i 89-shit