Ëndrra e shuar e Hasanit në derbin e madh gjilanas

Liridon Hasani nuk e kishte menduar që do të përfundonte në një punë krejtësisht tjetër prej asaj që e kishte dashur nga fëmijëria – futbolli. Nuk e kishte paramenduar që karriera e tij e futbollistit do të përfundonte para kohës, shumë para kohës.

Por ish-sulmuesi ndër më të mirët në histori të klubit Gjilani, që sot punon si kamerier në një lokal në Gjilan, më 3 prill të vitit 2011 pati pësuar një lëndim të rëndë në kokë gjatë derbit më të zjarrtë në Kosovë, Gjilani – Drita. Hasani ishte pjesë e Gjilanit, shkruan Koha Ditore.

“Ishte një goditje shumë e madhe për mua, pasi e gjithë ëndrra ime u shua”, thotë Hasani në një bisedë për gazetën.

Nga lëndimi i pësuar në kokë, Hasani pati qenë edhe në rrezik për jetën. Pati qëndruar në gjendje kome për 16 orë.