Trump dorëzohet, paguan 25 mln dollarë për tri padi

Donald Trump është dorëzuar përballë tri padive për mashtrim të ngritura nga tre ish-studentë të “Trump University” dhe ka pranuar që të paguajë 25 milionë dollarë dëmshpërblim për ta.

Paditë ishin ngritur nga ish-studentët që kishin paguar në vitin 2005 një shumë prej 35 mijë dollarë për të mësuar “sekretet e tregut të pasurive të paluajtshme” nga instruktorët e perandorisë “Trump”.

Prokurori Eric Schneiderman deklaroi se pranimi i dëmshpërblimit nga ana e Donald Trump ishte një ‘kthesë befasuese’ dhe një fitore e madhe për ‘viktimat’.

Por avokati i Presidentit të zgjedhur mbajti një tjetër qëndrim.

“Klienti im është i kënaqur nga kjo marrëveshje. Ai është i gatshëm që të sakrifikojë nga pasuria dhe interesat personale për ta hedhur këtë pas krahëve dhe për të vazhduar përpara”, deklaroi avokati Daniel Petrocelli.

Trump ishte paditur nga ish-studentë në Kaliforni dhe Nju Jork, të cilët akuzonin shkollën e hapur prej tij “Trump University” për mashtrim. Studentët pretendonin se ishin mashtruar dhe se shkolla kishte dështuar në dhënien e njohurive të duhura për ta në tregun e pasurive të paluajtshme.

Para zgjedhjeve, Trump kishte shprehur bindjen se do të fitonte ndaj të gjitha padive të ngritura kundër tij.

“Do të fitoj gjyqet. Mund të kisha arritur një marrëveshje, mund ta arrij akoma një marrëveshje, por kam zgjedhur që të mos e bëj këtë”, deklaronte ai.

Prokurori Eric Schneiderman, të cilin Trump e ka sulmuar duke e quajtur “peshë e lehtë”, kishte kërkuar 40 milionë dollarë dëmshpërblim për llogari të paditësve.

“Trump University” u hap me bujë në vitin 2005 dhe pesë vite më vonë u mbyll pa bujë.