Prishtina kërkon triumfin në derbi për t’u bërë lidere

Ndeshja që luhet në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq mund të japë lider të ri në Vala Superligën e Kosovës në futboll.

Është Prishtina që derbin e javës së 15-të të kampionatit të Kosovës në futboll, ndaj Besës, e luan në Obiliq, për shkak të rinovimit të stadiumit të saj. Derbi i xhiros luhet të shtunën (sot) nga ora 13:00. Prishtina me fitore eventuale ngrihet në pozitën e parë, të paktën përkohësisht.

Aktualisht është e dyta me 31 pikë, dy më pak se Trepça ’89 që prin. Besa është e pesta me 24 pikë. Pejanët synojnë që me fitore t’i afrohen edhe më shumë kreut. Prishtina, të martën në Kizhnicë, barazoi pa gola me Hajvalinë, në kuadër të javës së 14-të. Ndërkohë, Besa një ditë më vonë fitoi 2:1 ndaj Drenicës.