Toti uron Del Pieron në mesnatë, përgjigjet ish-sulmuesi (VIDEO)

Alesandro Del Piero mund të ketë marrë qindra urime në ditën e përvjetorit të tij të 42-të, por padyshim që ai i i Françesko Totit është ndër më të veçantët.

Sulmuesi i Romës ka dashur të ishte i pari që e uronte ish-shokun e tij në kombëtaren italiane, ndaj e ka vënë telefonin në zile për t’u zgjuar sapo ora të kalonte 00:00.

“Alesandro, sapo u zgjova për ty. 42 vite… po plakesh, dreqin!. Shpresoj të kem qenë unë i pari që të urova. Mirupafshim bukurosh, unë po bie në gjumë tani. Shihemi së shpejti”, thotë në dialektin roman kapiteni legjendar i Romës në një video të postuar në profilin e tij në “Facebook”.

Toti dhe Del Piero kanë rivalizuar në klubet e tyre, por kanë marrë pjesë së bashku në dhjetëra beteja me kombëtaren, që kulmuan me triumfin në Kupën e Botës 2006.

Nuk ka vonuar përgjigjja e ish-sulmuesit të Juventusit në “Twitter”: “Françè, nuk rashë në gjumë derisa mora urimin tënd… e tani që jam zgjuar, mund të të them: Faleminderit!”.