Shpërthen kryetari i Besës: Nuk tolerojmë më

Para fillimit të sezonit, Besa konsiderohej si njëra prej favoriteve për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës, krahas Feronikelit dhe Prishtinës.

Mirëpo, gjërat nuk shkuan ashtu siç duhej për ekipin pejan, përkundër investimeve të shumta dhe riorganizimit të klubit.

Bardhekuqtë gjenden në pozitën e pestë në tabelë, duke ngelur plot 13 pikë prapa liderit, Trepça ’89. Ky fakt e ka shqetësuar tej mase kryetarin e klubit, Shemsedin Muhaxheri, i cili e pranon se priste më shumë në rrethin e parë të garave, respektivisht në 11 xhirot e para të Superligës.

Kreu i klubit pejan thotë se të gjithë janë të rrezikuar tek Besa, e mbi të gjitha ata të padisiplinuarit dhe ata që nuk angazhohen dhe që nuk tregohen profesionistë.

“Diçka nuk është duke funksionuar, nuk jemi të kënaqur me rezultatet e deritashme. Do të ulemi dhe t’i shqyrtojmë gjërat, duhet ta analizojmë këtë situatë. Dikush është fajtor për këto dështime”, ka thënë fillimisht Muhaxheri për “Zërin”.

“Tek Besa nuk e ka askush vendin e sigurt. Rrezikojmë të gjithë, duke u nisur nga unë, shtabi teknik, por edhe deri tek futbollisti i fundit. Ne nuk jemi ekip i mëhallës, prandaj do të ndëshkohen të padisiplinuarit. Duhet të përmirësohet sjellja e futbollistëve, kështu më nuk do të tolerojmë. Duhet të tregohemi më profesionistë dhe t’ju kthehemi rezultateve pozitive”, vazhdoi kryetari i Besës, i cili konfirmoi se kryesisë ende “nuk i ka humbur durimi”, sa i përket shtabit teknik, i cili do të vazhdojë ta udhëheqë ekipin rregullisht, në ndeshjen e mesjavës ndaj Feronikelit.

Besa bëri organizim të shkëlqyer gjatë verës, duke sjellë përforcime të mëdha, në mënyrë që ta fitojë titullin dhe të dalë në Evropë nga edicioni i ardhshëm. Por, deri tash, ekipit nga Rrafshi i Dukagjinit nuk i kanë dalë si duhet llogaritë.