Deri kur kështu?!

Stadiumet kosovare lënë shumë hapësira për huliganë.

Futbolli kosovar është përballur me shumë vështirësi në dekadat e fundit. Fillimisht u pavarësua nga ai serb, duke bërë që ndeshjet të zhvillohen aty ku mundeshin, pa kushte elementare. Pas luftës synimi kryesor ishte pranimi në arenën ndërkombëtare. Edhe kjo ndodhi, por skenat e pahijshme nuk janë ndalur. Një e tillë ndodhi në ballafaqimin mes Llapit dhe Feronikelit. Skuadra mysafire ishte duke fituar 3:0, ndërsa në minutën e 63-të një tifoz vendas ka sulmuar gjyqtarin anësor, Erduan Baliqi. Ky i fundit nuk ishte në gjendje të vazhdojë më lojën, kurse gjyqtari kryesor Fatmir Tahiri e ndërpreu ndeshjen, që pritet të regjistrohet me rezultat zyrtar 0:3, ndërsa skuadra llapjane mund të dënohet edhe më shumë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Edhe me armë në stadiumin, ku askush s’të kontrollon

Ish-ndihmëstrajner i Llapit, Ardian Llumnica e ka dënuar këtë rast, derisa ka shtuar se duhet të ketë më shumë kritere e rregulla për stadiumet kosovare. “Ajo çfarë i ka ndodhur Llapit mund t’i ndodhë secilit klub nesër. Shumicën e stadiumeve i kemi pa ‘kamxhik’, ku hyn e del kush të dojë. Jo vetëm me gurë e tulla, por mund të hysh edhe me armë në krah e nuk të ndal askush. Në shtëpi pa derë, hyn e del gjithçka nga kush të dojë. Natyrisht që skenat e tilla nuk janë të hijshme, e aq më pak ndaj gjyqtarëve dhe personave zyrtarë, e që për UEFA-n dhe FIFA-n janë të paprekshëm dhe nuk tolerohet asgjë në këtë aspekt. Futbollit tonë i duhen organizime dhe skena që ta përmirësojmë imazhin, e assesi të tilla, si në rastin e fundit”, ka thënë Llumnica për “Kosova Sot”. Ai ishte ndihmëstrajner te Llapi për dy edicione, kur kjo skuadër u organizua, duke hyrë në Superligë.

Stadiumet tona me shumë gjësende të rrezikshme

Ai ka shtuar se tifozët duhet të kontrollohen në mënyrë të detajuar, kurse Komisioni për pranimin e fushave nuk duhet të bëjë asnjë tolerim. “Tifozi në stadium mund të revoltohet, të nervozohet, të brohoras e të përdorë fyerje të ndryshme, por assesi nuk duhet t’i lëmë atij hapësirë dhe nuk duhet t’i lëmë afër gjësende të rrezikshme, që gjenden rreth e përqark stadiumeve tona. Pas pak do të vijmë në situata, ku një ndeshje për titull apo për Kupë do të kushtojë qindra mijëra euro për t’u organizuar, atëherë çka do të ndodhë! Do t’i lejohet secilit të bartë çfarë të dëshirojë në stadium! Do t’i lejohet secilit qe ta ndërpresë një ndeshje dhe të humbet mundi i skuadrës për një vit! Komisioni për pranimin e fushave duhet që në përpikëri pa asnjë tolerim t’i caktojë kriteret e stadiumeve për Superligën e Kosovës, e aty natyrisht që përveç fushës së lojës janë edhe gjërat përcjellëse si hyrje-daljet, tualetet, zona e medieve, e zona VIP. Nuk them që duhen të jenë superiorë siç i kërkon UEFA, po të jenë kritere të brendshme të FFK-së për mbarëvajtjen e garave në mënyrë që të krijohet vend ideal për aktorët jashtë fushës së lojës”, përfundoi Ardian Lluminica.

Skuadrat dënojnë incidentin 

Pas ndeshjes, dy skuadrat kanë dënuar këtë incident, duke u distancuar nga ajo që ndodhi. “Ne distancohemi nga një tifoz i paidentifikuar dhe i papërgjegjshëm, i cili prishi komplet rrjedhën e ndeshjes, aktet e tilla dëmtojnë rëndë edhe FC Llapin, edhe futbollin kosovar në përgjithësi”, thuhet në komunikatën e Llapit. Llapi vlerëson se referimi ishte korrekt, dhe Feronikeli ishte me meritë në epërsi. Përveç kësaj, Llapi ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të jetë më syhapur dhe të krijojë siguri për ndeshjet futbollistike, duke kryer detyrat që u takojnë. Edhe skuadra nga Drenasi ka dënuar këtë rast. “Feronikelit i vjen keq për lëndimin e gjyqtarit Baliqi, të cilit i dëshirojmë shërim të shpejtë. Gjithashtu e falënderojmë skuadrën e Llapit, që priti skuadrën tonë në mënyrë sportive, mbasi rasti i ndodhur nuk ishte në dorën e tyre dhe për këtë ndiejmë keqardhje. Urojmë që raste të tilla të mos përsëriten më në stadiumet tona. Presim që ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor tonin”, thuhet në reagimin e kampionit të Kosovës në futboll.