“Më kanë dënuar me 20 vjet burg pasi nuk kam dashur të qëlloja në Vukovar dhe në kroatë”

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, para ndeshjes kundër Kroacisë ka zbuluar një dramë të jashtëzakonshme jetësore, luftën për ekzistencë larg shtëpisë dhe ka shprehur kënaqësinë që të zgjedhurit e tij do të luajnë kundër kroatëve.

Trajneri i Kosovës, dikur futbollist, ishte në fillet e karrierës seniore, teksa Prishtina asokohe ishte në ligën e dytë, kur i kishte ardhur thirrja për të shkuar në ushtrinë jugosllave.

“Mbiemrin e kam Bunjaku. Do të thotë me ‘u’. Mirëpo, para 25 vitesh më është dashur ta ndërroj mbiemrin kur kam ikur nga shteti. Për çdo rast, e kam ndërruar atë shkronjë që të mos më gjejnë”, kështu e ka nisur tregimin përzgjedhësi kosovar për Sportske Novosti.

Gazetari më tej i ka thënë se pas kësaj deklarate ndoshta do të bëhet hero në Kroaci, transmeton Telegrafi.

“Kam bërë atë që do të bënte çdo njeri normal, kush do të shkonte të gjuajë mbi njerëz të pafajshëm, për çfarë?”.

“Dhe pastaj, kur arrita në Suedi, e ndërrova një shkronjë të emrit që në rast se më kërkojnë, të mund të thosha: ‘Nuk jam ai’”, ka thënë mes tjerash Bunjaku në intervistën e tij të gjatë duke treguar se shteti e kishte dënuar me 20 vjet burg në mungesë.

“Shikoni, ishte viti 1991, ndërsa unë 20 vjeç, student, si edhe futbollist. Mirëpo, një ditë më erdhi thirrja për ushtri, për APJ, duhej të shkoja në Vukovar! Lufta po zgjaste, të gjithë e kishin të qartë se çfarë po ndodhte dhe çfarë nënkuptonte ajo thirrje. Nuk e kisha në mend t’i përgjigjem, menjëherë vendosa: ‘Jo, ti nuk do të gjuash mbi njerëz, ik’. Dhe, ashtu, shkova”, ka treguar më tej trajneri.

Kujtojmë që Kosova është nikoqir i Kroacisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës, më 6 tetor, për të zhvilluar ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror ‘Rusia 2018’. /Telegrafi/