Ky fakt po i jep hijeshi Vala Superligës

Edicioni 2016/17 i Vala Superligës po del të jetë tejet interesant, mbase edhe më i miri që nga periudha e pasluftës.

Dëshmi për këtë janë rikthmet e mëdha të rezultateve që po bëhen nga skuadrat, duke dëshmuar kështu për karakterin e fortë të futbollistëve.

Madje, që në xhiron e parë kishte përmbysje në derbin Feronikeli – Besa (1:2), shkruan Gazeta Sheshi.

Kampionët kishin kaluar në epërsi me golin e Behar Maliqit në minutën 59, derisa Xhevdet Shabani i pejanëve ishte kundërpërgjigjur me dy shënime në minutat 65 e 77.

Rikthimi i dytë ndodhi në xhiron e tretë në ballafaqimin Ferizaj – Gjilani (1:2). Muhabi Bushi (9’) kishte kaluar vendasit në epërsi, derisa mysafirët ishin kundërpërgjigjur me Isa Eminhazirin (30’) dhe Betim Haxhimusën (60’).

Feronikeli ishte protagonist edhe i një rikthimi spektakolar ndaj Drenicës në fitoren 2:1 në Skenderaj. Drenica kishte udhëhequr me golin e Taulant Dajakut (20’), kurse Mevlan Zeka (39’) e Behar Maliqi (63’) i sollën fitoren kampionëve.

E, rikthimi më i madh, mbase më spektakulari ndodhi të enjten në kuadër të xhiros së shtatë në ballafaqimin Llapi – Besa 3:2. Pejanët në pesë minutat e parë ishin duke avancuar 2:0, derisa Llapi u rikthye në pjesën e dytë dhe fitoi 3:2 me golat e Florim Bërbatovcit, Bujar Idrizit e Edon Zeqirit.

/Gazeta Sheshi/