“Më mirë dy herë i lumtur, se dy herë i pasur”

Janë të shumtë kampionët e sportit e sidomos ata të tenisit, që nuk preferojnë të jetojnë apo kalojnë kohën më të madhe në shtëpinë tyre. Madje ne letër ata kanë deklaruar se qëndrojnë në Montekarlo apo në Zvicër dhe arsyeja është një: Taksat e larta që duhet të paguajnë për fitimet. Kështu veprojnë Djokovic, Dimitrov, Chardy apo Tsonga, por nuk ka preferuar të ndjekë shembullin e tyre tenisti spanjoll Rafael Nadal, numri 4 në botë. Ai jeton në vendlindjen e tij, Monacor edhe pse në Spanjë taksat kapin shifrën e 54% të të ardhurave vjetore. Një shifër e lartë, sidimos për një tenist si Nadal që vjet ka fituar 21 milionë dollarë.

Por Nadal është shprehur se kjo nuk e shqetëson shumë, pasi preferon më shumë të jetojë i lumtur mes familjarëve të tij se sa në një vend ku nuk njeh njeri. “Në Zcvicër nuk kam miq e familjarë. Gjërat që të bëjnë të lumtur janë familja dhe qetësia që gjen kur je pranë tyre. Nuk më mungon asgjë, as mua dhe as familjes time, që më ka pranë gjithnjë. Kjo është zgjidhja ime, pasi edhe me gjithë ato parà nuk di se çfarë të bëj”, ka deklaruar sot tenisti spanjoll Rafael Nadal. Ai ka rrëfyer se nëse do të jetonte 4-5 vjet në ndonjë shtet tjetër, do të kishte dyfishin e të ardhurave. “Lumturia nuk blihet me parà. Nuk kam dyfishin e parave, por kam dyfishin e lumturisë, gjë që nuk e kanë tenistët e tjerë”, tha Nadal.