Prapaskena, Interi “prenoton” për trajner Diego Simeone

Diego Simeone ka nënshkruar një kontratë të re, vetëm 18 muaj më parë, që të mbetej në stolin e Atletico Madrid për pesë vjet të tjera, por e ka reduktuar atë kohët e fundit. Tani, bashkëpunimi i tij me finalistët e Championsit në sezonin e kaluar do të përfundojë në vitin 2018. Por, çfarë qëndron pas këtij veprimi të njërit nga trajnerët më të dëshiruar të kësaj loje? Simeone u bashkua me Atletico Madrid në fund të vitit 2011 dhe ka bërë një punë të madhe në krye të ekipit madridas, duke fituar La Liga, Kupën e Spanjës, Ligën e Europës, Superkupën e Europës dhe Superkupën e Spanjës, si dhe ka arritur në dy finale të “Champions League”. Por, pas humbjes së finales së 28 majit, për herë të dytë në tri vite, ndaj rivalëve të të njëjtit qytet, Real Madridit, argjentinasi ka pranuar se do t’i duhet të marrë kohë për të shqyrtuar të ardhmen e tij.

Ky qëndrim erdhi vetëm dy muaj pasi kishte nënshkruar kontratën e tij të re me Atletico Madrid. Një tjetër sezon ka filluar dhe Simeone është atje, për të qenë sa më konkurrues, si kurrë më pare, por e ka “prerë” kontratën e tij me dy vjet, duke e afruar fundin e saj nga viti 2020 në vitin 2018. Ai duket se do të do të ndjekë shembullin e Pep Guardiola, kur iku nga Barcelona. Shkaku? Eshtë shumë e vështirë që të ruajë të njëjtin intensitet dhe dëshirë në të njëjtin klub, të mbajë lart motivimin e një grupi lojtarësh për më shumë se tri sezone, ndërsa marrëdhënia me bordin drejtues ka qenë më e tensionuar në muajt e fundit. 46-vjeçari është i prirur ta vazhdojë detyrën e trajnerit në liga të tjera, të marrë ndoshta edhe përgjegjësinë e drejtimit të kombëtares argjentinase në të ardhmen. Ai ka pranuar tashmë, se do të donte të bëhej trajner i Interit, ndërsa klubi italian i ka ofruar një paketë tërheqëse.

Trajneri aktual, Frank de Boer, ka një kontratë trevjeçare me Interin, deri në vitin 2019, por italianët kanë vënë një klauzolë për prishjen e marrëveshjes për vetëm 1.5 milionë €, e cila është shumë pak për klubin zikaltër. “Goal.com”, veç informacionit të mësipërm, bën me dije se Interi është në “pole pozicion” për nënshkrimin e “El Cholo” në vitin 2018, sepse ka gati një marrëveshje fitimprurëse, që besohet të jetë dy herë më e lartë se sa kontrata aktuale e Simeone (rreth 6 milionë € në vit, pa taksa), për ta sjellë përsëri ish-lojtarin në “San Siro”, por tashmë si trajner, duke nisur nga sezoni 2018-2019.