Fusha e Manchester City-it vjen era… hudhra

Tifozët e Manchester City-it dhe të Borussia Moenchengladbach, që kanë qëndruar në rrethinat e “Etihad Stadium” të mërkurën në mbrëmje do të kenë pyetur veten: “Prej ku vjen kjo erë hudhre?”. Në fakt, “Etihad”, vinte një erë e fortë hudhre në orët pas vërshëllimës së trefishtë të sfidës së Champions League, duke zgjuar interesin e kalimtarëve. Misteri është zbuluar shumë shpejt: ka të bëjë me mirëmbajtjen e fushës.

Është një metodë e zakonshme për kopshtarët e City-it që ta ujisin fushën me litra të tërë me lëng hudhre në përfundim të ndeshjeve për të shmangur infektimin nga parazitët që kërcënojnë rrënjët e barit. Metoda duket se funksionon shumë mirë dhe përdoret rregullisht prej dy vitesh, edhe në fushat e stërvitjes. Nuk është një shqetësim për tifozët, por stafit i është dashur të bashkëjetojë me erën e hudhrës. Edhe në anën tjetër të qytetit, në “Old Trafford”, mirëmbajtësit e Manchester United kanë përdorur sisteme të ngjashme për të mbrojtur fushën.