Feronikeli – Ferizaj, Tovërlani e Selmani me deklarata interesante

Feronikeli fitoi 2:1 ndaj Ferizajt sot në kuadër të xhiros së katërt të Vala Superligës, ndonëse kishte mundësi që të realizonte edhe më shumë.

Pikërisht shpërdorimi i shumë rasteve ka mundur t’i hakmerret kampionëve dhe për këtë i vetëdijshëm është edhe trajneri, Afrim Tovërlani.

“Krejt çka janë me rëndësi në këtë përballje janë pikët. Ndoshta Ferizaj meritoi diçka më shumë, meqenëse pas golit të realizuar kemi bërë gabime amatoreske dhe kemi shpërdoruar raste pafund”, është shprehur Tovërlani për “SuperSport”, transmeton Gazeta Sheshi.

“Ndoshta futbollistët e mi nuk e morrën seriozisht kundërshtarin, prandaj edhe bënë gabime të tilla. Faza finalizuese ishte e tmerrshme sot, por shpëtuam me faqe të bardhe”, përfundoi Tovërlani.

Nga ana tjetër, “timonieri” i Ferizajt, Agron Selmani pohon se kishin udhëtuar për t’u mos u mposhtur, por nuk ia arritën qëllimit megjithëse mbetet i kënaqur me lojën e treguar.

“Jemi të vetëdijshëm që kemi udhëtuar të luajmë përballë kampionit në fuqi, skuadër e cila ka dominuar futbollin kosovar në këtë vitet e fundit, pranaj kemi udhëtuar për t’u mos u mposhtur”, theksoi Selmani.

“Jemi duke ndërtuar një skuadër stabile duke gërshetuar përvojën e futbollistëve të vjetër me ata të rinj, ndërkohë që na nevoitet sigurisht kohë. sidomos pas përballjes me disa probleme organizative e gjëra të tilla. Këtë vit synojmë mbijetesën dhe më pas shohim”, përfundoi Selmani.

Ferizaj në xhiron e radhës i bën “konak” Trepçës ’89, kurse Feronikeli është mysafir i Drenicës.