Theu këmbën e kundërshtarit, gjykata e dënon me një vit burg

Është dënuar me një vit burg për një faull loje që është konsideruar shumë i dhunshëm. Ky ka qenë vendimi i marrë nga një gjykatë e Britanisë së Madhe kundrejt Nicholas William, futbollist 26-vjeçar, i cili është shpallur fajtor me vendim unanim nga gjykata e Caernarfon Crown, me akuzën se ka shkaktuar dëmtime personale të rënda. Futbollisti i Cefn Albion, sipas “Dailypost.co.uk”, i ka thyer këmbën Andrew Barlow, lojtar i Brynford gjatë një ndeshje të futbollit amator të zhvilluar gjatë kampionatit.

Gjyqtari ka shpjeguar në vendimin e tij se ndërhyrja nuk mund të konsiderohet e pavullnetshme, pasi ka qenë shumë e ashpër, një veprim i pazakontë dhe shumë larg principeve sportive. Mbrojtja është përqendruar te teoria se ndërhyrja ka qenë e pavullnetshme, ndërsa disa dëshmitarë të thirrur në gjyq, kanë thënë se futbollisti i Cefn Albion ka kërcënuar në fushë Barlow pikërisht për atë që do t’i bënte. Vlen të theksohet fakti se arbitri i ndeshjes nuk e ka ndëshkuar me karton të kuq Williams pas faullit.