Piramida e fshehur në kodër, më e madhe se e Gizës në Egjipt

Pushtuesit vranë 3000 vendas për tri orë, shkatërruan tempujt e lashtë dhe ndërtuan një kishë në majë të asaj që kujtonin se ishte thjesht një kodër e bukur.

Më 12 Tetor të vitit 1519, ushtria spanjolle, e drejtuar nga Hernan Kortez, hyri në Çolula të Meksikës së sotme të cilën e plaçkitën dhe masakruan shumë shpejt.

Ndryshe nga zonat e tjera ku spanjollët kishin hasur rezistencë të ashpër nga vendasit, këtu gjetën vetëm tempuj të panumërt e të mbushur me dhurata, që të mbroheshin nga zotat.

Pushtuesit shkaktuan një nga masakrat më të mëdha dhe në shekujt në vazhdim e mbushën zonën me kisha, më kryesorja e të cilave u ngrit në majë të një kodre që në fakt nuk ishte kodër.

Brenda saj fshihej një tempull i ndërtuar që rreth 300 vjet para erës sonë, i rindërtuar më pas edhe nga qytetërimet në vazhdim.

Ky tempull është piramida më e madhe që ekziston, 55 metra e lartë dhe me secilën faqe 450 metra të gjatë në bazë. Madje, është monumenti më i madh i ndërtuar nga njeriu deri më sot.

Kur u pushtua nga spanjollët, Piramida e Madhe e Çolulas kishte qindra vite që rrinte e mbuluar. Ajo ishte ndërtuar me blloqe të mëdha argjile e të përziera me shkopinj, një lëndë që mbijeton më së miri me klimën e zonës.

Në rast afrimi të ushtrive armike, banorët që njiheshin si besimtarë të përkushtuar, por jo luftëtarë, nxitonin ta mbulonin piramidën me dhè e me baltë, duke krijuar kështu një kodër artificiale që ndër vite u mbulua nga bimësia.

Spanjollët shkatërruan me qindra ndërtesa që gjetën aty dhe sot ende nuk dihet me saktësi se nga kush është ndërtuar kjo piramidë. Dihet vetëm që ka qenë një zonë e zhvilluar, e pasur, ndëretnike dhe ku organizoheshin ceremoni fetare, duke flijuar deri fëmijë të vegjël.

Edhe kur është ndërtuar kisha simbolike mbi kodër, spanjollët nuk e dinin se çfarë fshihej nën të. Vetëm në vitin 1910, kur nisi ndërtimi i një çmendine, u zbulua që aty fshihej një piramidë e lashtë, që sot është një nga vendet më të vizituara nga turistët.