Haremi i Ali Pashës

Një harem të shekullit të XVIII, atë të Ali Pashës, artistja Natasha Bega ka nisur ta dizenjojë në studion e saj. Gjithçka është në përfundim e sipër, pasi shumë shpejt do t’i prezantojë publikut dëshirat e fshehta të “luanit” të Janinës, në pjesën e dytë të tyre.

Pas erosit, të prezantuar pak më parë përmes një ekspozite, këtë herë gratë e Ali Pashës nuk do të jenë portrete të fiksuara në kuadro. Ato do të jenë gra të vërteta, të cilat do të veshin petka shumëngjyrëshe të qëndisura nga Natasha.

“Ato janë një teknikë e re pikture, e quajtur teknikë në tekstil. Janë personazhe të perceptuara dhe të ingranuara në lëvizje copash, për të cilat personalisht kam ndjerë të njëjtën energji sikur kur punoj edhe në teknikën e vajit. Arti do të jetë e gjithë performanca që do të ndodhë, duke filluar nga skenografia, kostumografia”, tha Natasha Bega, piktore.

Natasha ka menduar çdo detaj, i cili do të jetë në funksion të gëzimit, pasi për artisten, ky është edhe qëllimi i një haremi.

“Mendoj që ka një gjë shumë të mirë, është çlirimi i njeriut. Njeriu aty është vetvetja, çliron botën e tij erotike, botën e brendshme të mishit dhe të shpirtit. Harem është vet jeta e njeriut dhe prandaj unë e quaj hare. Vet fjala ‘harem’ vjen nga ‘hare’, pra gëzoje jetën o njeri”, shpjegoi më tej Bega.

Haremin e Ali Pashës, Natasha Bega do ta prezantojë për publikun në muajin tetor.

/ Top Channel