VIDEO: Befasia e Ramosit kur Costa i tha “nuk vij”

Sulmuesi Diego Costa u tregua i sinqertë me shokun e tij të skuadrës në kombëtaren spanjolle, Sergio Ramos, kur ky i fundit e pyeti për të ardhmen e tij. Në javët e fundit është përfolur se spanjolli – i cili aktualisht luan te Chelsea – do të rikthehej në Madrid për të luajtur me Atletico Madridin, por jo: në fund bardhekuqtë transferuan Kevin Gameiron nga Sevilla, pas huazimit të Luciano Viettos për një vit tek andaluzianët.

Episodi i sqarimit të Ramosit ndodhi në tunelin e dhomave të zhveshjes në “Michigan Stadium”, me rastin e miqësores Real Madrid-Chelsea. Kamerat e “Deportes Cuatro”-s kapën bisedën e shkurtër të mbrojtësit me sulmuesin. “Pse nuk shkon?” – pyet Ramos “bomberin”. Nënkuptohet se ku: tek Atletico Madridi. Costa i jep një përgjigje (kamera nuk kap dot lëvizjen e buzëve të tij) dhe Ramos ia kthen: “Nuk të lënë?”. Sulmuesi e njofton se në Madrid është transferuar Gameiro dhe mbrojtësi, i surprizuar, thotë: “Ahhhhhh! Vjen Gameiro!” Mërzinë për lajmin që merr vesh Ramos e shpreh me një pasthirrmë tjetër “Ufff!” dhe më pas përqafon shokun e tij për ta ngushëlluar.

Mesazhi i kësaj videoje është i qartë: Chelsea nuk e ka lejuar sulmuesin të lërë Londrën për t’u transferuar në kryeqytetin spanjoll. Megjithatë, media spanjolle vijon të theksojë se Costa ende nuk e ka “të vulosur” fatin e tij te “Blutë”. Largimi mund të vijë, por mbase për një ofertë të çmendur dhe jo aq sa është spekuluar se ka ofruar Atletico Madridi, 43-45 milionë euro.