Nga piceria, në menaxher milionësh

Historia e Mino Raiolas është e jashtëzakonshme. Ai sot është njëri prej menaxherëve më të mirë dhe më të pasur në botë, shkruan Kicker.de, përcjellë Zëri.

Madje, vetëm nga transferimi i Paul Pogbas në Manchester United prej Juventusit, ai pritet t’i përfitojë nga 20 deri në 25 milionë euro.

Francezi do t’i kushtojë Unitedit 120 milionë euro, duke u bërë transferi më i shtrenjtë në histori të futbollit dhe për këtë ka merita edhe menaxheri italo/holandez.

Por, kush është në të vërtetë ky 48 vjeçar? Ai ia ka në duar yjet si Ibrahimovic, Balotelli, Mkhitaryan, por edhe Pogba e të tjerë.

Në fakt, Raiola ishte fëmijë i prindërve emigrantë, ndërsa kishte nisur gjithçka në picerinë e babait të tij në Holandë, e cila frekuentohej rregullisht nga yjet e Ajaxit.

Image

Duket se kësaj picerie ai ia ka pa hairin pasi që më pas ra në kontakt me futbollistë dhe e nisi karrierën si menaxher, që nga fillimvitet e 90-ta, raporton Zëri.

Ai ka ndërmjetësuar në transferimin e Dennis Bergkampit në Inter (1993) dhe Pavel Nedvedit në Lazio (1996).

Duhet cekur se Raiola është menaxher edhe i futbollistit shqiptar, Pajtim Kasami.