“Wonder Woman”

75-vjetori i personazhit ikonë të librave vizatimorë, “Wonder Woman”, u kremtua me një ekspozitë të veshjeve të saj nga filmat klasike televizive, si dhe kostumet e krijimeve më të fundit të “Warners Bros.”.

Për herë të parë, gruaja me forcë të jashtëzakonshme u shfaq në botimin e tetë të “All Star Comics” dhjetorin e vitit 1941, e krijuar nga psikologu dhe shkrimtari William Moulton Marston.

“Marston ka qenë shumë i përfshirë në fillesat e lëvizjes për të drejtat e grave ‘Sufragette’, ku e shoqja e tij kishte ndikim të madh. Mendohet se vet Uashingtoni i kërkoi krijimin e një superheroi dhe bashkëshortja sugjeroi në fakt që të ishte një heroinë femër. Ata u përpoqën të mishëronin një sërë bindjesh, konceptesh dhe cilësish te personazhi në fjalë, përfshirë këtu forcën e saj apo ndjenjën e fuqishme të drejtësisë. Ata donin që kjo heroinë të përfaqësonte shpresën, paqen dhe dashurinë, e të ishte ndryshe nga të tjerët”, tha Jim Lee, botues.

Edhe pse pamja e “Wonder Woman” ka ndryshuar në rrjedhën e viteve, ashtu siç në ndodhi në 1970-n kur u shfaq me një veshje të bardhë, ajo më shumë njihet për kostumin e frymëzuar nga flamuri amerikan me ngyrën e kuqe, të bardhë e blu, dhe me aksesorët e artë të krijuar nga H. G. Peter.

“Është një kostum i fuqishëm. U krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndaj rrënjët patriotike në pamjen e tij janë të qarta. Përveç ngjyrave kemi edhe elementë të tjerë si yjet e vijat, apo edhe shqiponjën amerikane, ndaj rrënjët që e lidhin me historinë janë të forta”, tha Lee.

Një film i ri mbi “Wonder Woman” pritet të dalë në kinematë amerikane qershorin e vitit që vjen.