Cicinho: Kapitenët e Realit kishin klane brenda skuadrës

Pasi zbuloi problemin se ishte i varur nga alkooli, ish futbollisti i Real Madridit, Cicinho, ka zbuluar edhe disa detaje mjaft me rëndësi se çfarë ndodhte brenda dhomave të zhveshjes tek mbretërit.

Duke folur për ESPN Brazil, Cicinho, tregoi se si Sallgado dhe Casillas kishin krijuar klanin e tyre për ta nxjerrë nga loja Roberto Carlosin, në mënyrë që spanjolli të ishte kapiteni i dytë në skuadër.

“Kapot e grupit ishin Guti, Salgado, Helguera, Casillas, Raul… Ata ishin në gjendje të manipulonin me trajnerin dhe me mediat. Nëse Ronaldo nuk luante mirë në ndonjë ndeshje, shtypi e kryqëzonte atë duke e lavdëruar Raulin, ndërkohë të gjithë e dinë se Raul duhet të lindë tre herë për tu bërë sa gjysma e Ronaldos”, deklaroi Cicinho.

Mbrojtësi brazilian gjithashtu foli edhe për raportet e tij me kolegët e skuadrës:

“Salgado përshëndete shokët e skuadrës një nga një, por kur vinte rradha tek unë ai më kalonte”, shtoi në fund Cicinho.

/Gazeta Sheshi/