Gjilani me skuadër të re basketbolli

Qytetit të Gjilanit i është shtuar edhe një skuadër e re basketbolli. United Basketboll që do garojë në Ligën e Parë të basketbollit në vend është themeluar nga disa ish basketbollistë të klubit Drita, që krahas saj kanë krijuar edhe akademinë profesionale të basketbollit me grupmoshat e kadetëve dhe juniorëve, njofton Gazeta Sheshi.

Në një prononcim për Gazetën Sheshi, trajneri i kësaj skuadre Laurant Ibrahimi ka thënë se qëllimi i këtij klubi është nxjerrja e talentëve të shumtë që ka qyteti i Gjilanit si dhe ndërtimi i një skuadre kompakte që do garojë pa problem në elitën e basketbollit kosovar.

“Qëllimi kryesor i skuadrës United Basketboll është të rikthejmë interesimin për basketbollin në qytetin e Gjilanit. Do ndërtojmë një skuadër stabile dhe konkuruese në mënyrë që të futemi në Superligë. Po ashtu do punojmë shumë me gjeneratat e reja, në mënyrë që të nxjerrim sa më shumë talentë në qytetit tonë”, theksoi Ibrahimi për Gazetën Sheshi.

Në klubin e ri United Basketboll do të luajnë shumica e basketbollistëve që kanë qenë pjesë e KB Dritës si: Qëndrim Demi, Arian Mehmeti, Driton Sylejmani, Amir Bunjaku, Bardh Jakupi dhe të tjerë.