Prishtina frikëson Feronikelin

Tashmë është caktuar data dhe vendi i ndeshjes së Superkupës ndërmjet kampionit në fuqi, Feronikelit dhe fituesi të Kupës, Prishtinës. Dueli që do të luhet të shtunën e 13 gushtit në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë do të jetë tejet interesant, pasi vë përballë dy skuadra me futbollistë tejet cilësorë.

Por, nëse dikush i referohet trofeve të Superkupës të fituara nga këto dy ekipe, Prishtina është bindshëm më e mirë se Feronikeli, shkruan Gazeta Sheshi.

Kryeqytetasit në sajtin zyrtar kanë publikuar trofetë e Superkupës (1994/95, 1995/96, 2000/01, 2003/04, 2005/06, 2007/08, 2008/09, 2012/13), duke “kërcënuar” Feronikelin nëpërmjet kësaj mënyre.

Kurse, Feronikeli ka një Superkupë të fituar në edicionin 2014/15.

Në fakt, ekip i trajnerit Afrim Tovërlani para një edicioni fitoi titullin dhe Kupën, duke mos pasur fare nevojë të luajë ndeshjen e Superkupës. Por, trofeu i Superkupës iu dorëzua gjatë kampionatit.

Feronikeli ka qenë njëherë edhe në finale (2013/14), por është mposhtur nga Vushtrria 2:0.