Superliga pa topin zyrtar, ankohen futbollistët

Pavarësisht faktit se Federata e Futbollit e Kosovës u pranua me të drejta të plota në UEFA e FIFA, me gjasë edhe edicioni i ri i Superligës do të kalojë pa topin zyrtar, i cili është prezent në vendet tjera.

Kësisoj, futbollistët do të vazhdojnë që gjatë një ndeshje të nivelit elitar t’i shijojë topat të dy e më shumë markave siç ka ndodhur edhe herëve të kaluara.

Normalisht, kjo po u shkakton probleme futbollistëve, veçmas portierëve. “Gardiani” mitrovicas që së fundmi zgjodhi Besën, Arben Beqiri ka deklaruar se topi ka domethënie të madhe për një portier dhe ndërrimi i shpesht i tyre shkakton probleme.

“Topi është shumë i rëndësishëm që të jetë kualitet si për portier si për lojtar. Kjo është e para. Pastaj, e dyta ka të bëjë me atë që në secilën ndeshje, por edhe në stërvitje topat të jenë të njëjtë. Këtu kë Kosovë gjatë gjithë javës stërvitemi me topa tjerë, e në ndeshje luajmë me topa të tjerë”, ka deklaruar Beqiri për Gazetën Sheshi.

Ish-portieri i Trepçës ’89 pohon se shumica e skuadrave të Superligës i kanë topat kualitet, por që dallojnë prej ekipeve tjera dhe ky është një element tjetër që i bënë portier jo të sigurtë.

Kërkesa e Zabërgjës

Një tjetër futbollist që luan shumë me topin është Enis Zabërgja. Sulmusi që njihet për dribilmet e tij, thotë se në shumë raste nuk arrin ta realizojë atë që ka në kokë pikërisht për shkak të kualitetit të topit.

“Mua personalisht me pengon shumë një top jo kualitativ gjersa e kam në kontrollë, pasi loja ime është e tillë që ta kem topin sa më shumë në këmbë. Në Kosovë, klubet i nuk i kanë topat e njëjtë dhe kjo shkakton probleme, besoj jo vetëm te unë”, pohoi Zabërgja.

“Është mirë që Federata të reagojë me ndonjë nënshkrim të kontratës me ndonjë sponsor ose diçka të tillë, në mënyrë që Superliga të luhet me topin zyrtar sikurse në Evropë”, përfundoi Zabërgja.

Gjithsesi, futbollistët duhet t’ia dalin edhe këtë edicion në kushte të tilla, pasi nga kampionati i ardhshëm (2017/18), gjërat duhet të ndryshojnë patjetër.