Ja 5 basketbollistët “free agent” që po çmendin merkaton e verës

Nesër, më 1 korrik, do të nisë merkato e lojtarëve të lirë (free agent) në NBA, një merkato që këtë sezon pritet të jetë më e nxehtë se kurrë, pasi emrat e basketbollistëve që pritet të ndryshojnë skuadër janë nga ata që mund të ndryshojnë fatin e sezonit. Janë të shumtë ata që kanë vendosur të kalojnë në “free agent” dhe të ndryshojnë ekip, në kërkim të një sistemimi më të mirë dhe titullit kampion. Dhe në krye të listës është…

1 – Kevin Burant


Çdo ekip që ka parà për të shpenzuar ka hedhur sytë nga lojtari i Oklahomës. Por Durant, për momentin ka vendosur të takojë drejtuesit e vetëm 6 skuadrave edhe pse lista është akoma më e gjatë. Skuadra e parë që do të bisedojë me lojtarin është pikërisht Oklahoma e më pas do të jetë radha e Golden State, San Antonio, Boston, Miami e Clippers. Por edhe Lakers, Atlanta e Nju Jork duan ta takojnë. Durant do një kontratë 1+1, me një rrogë 26.6 milionë dollarë në vit.

2 – Dwyane Wade


Edhe pse 34 vjeç, ai është ende një nga më të mirët në qarkullim, ndaj Majemi trembet nga një largim i mundshëm i kapitenit. Ofertat për Wade nuk mungojnë, por s’ka për të qenë e lehtë, pasi lojtari kërkon mbi 20 milionë dollarë për t’u larguar nga Florida. Mundësia më e mirë është që të shkojë te kampionët e Cleveland, ku do të gjente shokun e tij LeBron James.

3 – Pau Gasol

Pas dy sezonesh te Chicago basketbollisti spanjoll është gati të ndryshojë skuadër. Dhe ka nisur që tani “flirtimet” me San Antonion, me të cilët kishte biseduar edhe dy vite më parë. Por Spurs nuk janë skuadra e vetme, pasi edhe Golden State e konsideron spanjollin si “planin B” nëse dështon ardhja e Durant. Ndërsa Phil Jackson, që e ka drejtuar te Lakers, kërkon ta sjellë në Nju Jork. Pra, ofertat nuk mungojnë.

4 – Dwight Howard


“Supermeni” ka hequr dorë nga 23.2 milionë dollarë në vit që i garantonte Houston, pasi kërkon një rrogë edhe më të madhe. Për momentin Atlanta e Boston kanë vendosur ta takojnë e bisedojnë me qendrën, duke i ofruar 132 milionë dollarë për 4 vjet. Por mund të jetë Nju Jorku destinacioni më i mundshëm, një ekip që po përforcohet dita-ditës.

5 – Mike Conley

Memphis ka kohë që ka thënë se është një basketbollist i rëndësishëm dhe kërkon ta mbajë edhe një vit, por lojtari ka vendosur të dëgjojë edhe propozimet e ekipeve të tjera të interesuara. Por San Antonio e Nju Jork nuk duken shumë të interesuara edhe pse në fillim shfaqën interes. Megjithatë, janë të shumta ekipet që kërkojnë një organizator dhe Conley e Rondo janë më të mirët në qarkullim.