Fjalimi i Ramës që përloti Canën

Në pritjen zyrtare që iu bë kombëtares shqiptare, kryeministri Edi Rama rezervoi një vlerësim për kapitenin e përfaqësueses shqiptare Lorik Cana, i cili me pjesëmarrjen në Euro 2016 përmbyll dhe karrierën e tij sportive.

Në fjalimin e tij, Rama tha se Cana do të mbetet kapiten si në ditë të mira, ashtu edhe në ato të këqija.

Ja fjalimi i Ramës për kapitenin Lorik Cana, që u përlot teksa dëgjonte të parin e qeverisë: 

Faleminderit Lorik, kapiteni legjendar i Shqipërisë së Madhe të Futbollit. E di vëllai im sesa keq e ke përjetuar atë karton të kuq që të ndaloi të hyje në fushën e shtëpisë tënde të dytë në Marsejë si kapiten i shqiptarëve kundër francezëve. Por besomë pamja jote e përkushtuar totalisht ndaj skuadrës nga stoli i rezervave në ndeshjen e tretë ka vlejtur sa njëmijë fjalë për lidershipin tënd në këtë skuadër të cilës iu bashkove në fushë me aq pasion në ndeshjen me Rumaninë saqë duket sikur e kishe ndeshjen e parë të jetës. Ti do të mbetesh gjithmonë kapiteni që njësoj si në ditë të mira ashtu dhe ato të këqija, ishe forca e madhe e shembullit, përkushtimit total për fanellën kuq e zi dhe fuqia tërheqëse dre jt fanellës kuq e zi për të tjerë më të rinj, të talentuar që në vend të Gjermanisë, Zvicrës, Suedisë zgjodhën Shqipërinë. Gjithmonë krenar për ty Lorik!