Emigrantët rrisin mbështetjen për ekstremistët në Gjermani

Fluksi i emigrantëve ka rritur ndjeshëm numrin e gjermanëve që mbështesin ekstremistët e djathtë të partisë AFD.

Një studim i publikuar ditën e mërkurë zbuloi se ka një rritje të islamofobisë në vend. Sipas këtij studimi, 40 përqind e gjermanëve mendojnë se myslimanëve duhet t’u ndalohet hyrja, një rritje dyfish në krahasim me vitin 2009, kur 20 përqind e gjermanëve kishin këtë mendim.

Një detaj tjetër mjaft shqetësues është se pyetjes “nëse duhet që vendi të ketë një diktator që të vendosë me siguri të plotë në të mirë të të gjithëve” më shumë se 10 përqind e të pyeturve u përgjigjën “po”.

Si shembull, gjermanët që mbështesin ekstremin e djathtë marrin Vladimir Putin. Shumë prej tyre simpatizojnë politikat dhe mënyrën e drejtimit me grusht të hekurt të liderit rus.

Në Gjermani ka një rritje të mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë AFD. Mediat kanë raportuar për infiltrime të luftëtarëve të Shtetit Islamik, të cilët janë regjistruar si azilantë dhe frika është rritur për sulme të mundshme terroriste. AFD pretendon se myslimanët e kanë të pamundur të integrohen në qytetërimin perëndimor dhe ka kërkuar që të ndalohet mbulimi i emrave në vend.

Gjysma e gjermanëve u shprehën se ata ndihen si të huaj në vendin e tyre për shkak të fluksit të madh të emigrantëve, të cilët u dyndën në vend. Një pjesë e mirë e të anketuarve thanë se azilantët nuk ishin në rrezik në vendlindjen e tyre.

Myslimanët në Gjermani përbëjnë 5 përqind të popullsisë, por frika është rritur në vend, se po zë rrënjë intoleranca fetare. “Popullariteti i Afd-së i kujton komunitetit tonë kohën kur në vend drejtonte Hitleri”, tha për “Uashington Post”, kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani, Aiman Mazyek.

/ Top Channel