Prishtina e superpërforcuar, Tovërlani ka disa fjalë

Trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani prej kohësh ka deklaruar se skuadra e tij do të mundohet që edhe edicionin e ri ta fitojë titullin për të dalë në Evropë, por konkurrenca këtë herë do të jetë e fortë.

Besa e Prishtina janë dy ekipe të superpërforcuara, por Tovërlani pohon se ende nuk dihet se kush do të jenë rivalët e Feronikelit për titull të kampionit.

“Ende është herët të them se kush do të jenë rivalët për titull. Por, deri më tani Prishtina dhe Besa janë përforcuar më së shumti. Se sa do të jenë transferimet e të gjithë neve të qëlluara, mbetet të tregojë koha se kush ka bërë përforcime të qëlluara e kush vetëm numër të transferimeve”, deklaroi Tovërlani për Gazetën Sheshi.

Si ish-trajner i Prishtinës, Tovërlani nuk ka dashur t’i komentojë përforcimet e kësaj skuadre. “Sa i përket transferimeve të Prishtinës, nuk kam ndonjë koment të posaçëm tani, sepse nuk kam kohë të merrem me punët e huaja”, përfundoi Tovërlani.

Feronikeli në dy vitet e fundit po e sundon futbollin kosovar, primat të cilin kërkojnë ta marrin Prishtina dhe Besa, por mbetet të shihet nëse këtë do ta lejojë ekipi nga Drenasi.