Vendimi i BE-së: Emigrantët nuk mund të burgosen pse shkelin ilegalisht kufirin

Emigrantët joevropianë që hyjnë ilegalisht në shtetet e BE-së apo në zonën “Schengen” nuk mund të përballen me dënime me burgim vetëm për shkak të lëvizjes së paligjshme. Këtë vendim ka marrë Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Ndërkohë, emigrantët që qëndrojnë ilegalisht në këto vende duhet të kthehen mbrapsht nëpër vendet prej nga vijnë, bazuar mbi të ashtuquajturën “direktivë e rikthimit”.

Vendimi i marrë nga kjo gjykatë me seli në Luksemburg do të aplikohet ndaj emigrantëve që kalojnë kufijtë e vendeve që gëzojnë lëvizje të lirë të qytetarëve, por edhe në momentet kur ata janë duke u larguar nga “Schengen”-i. Megjithatë, ai pritet të irritojë kritikët e politikës së BE-së, pavarësisht se përmban disa paralajmërime të rëndësishme.

Çështja gjyqësore mori shkasë nga rasti i një emigranteje ganeze, e cila u kap nga policia franceze duke përdorur dokumente false udhëtimi belge, në hyrje të kanalit të La Manshit, që lidh kontinentin me ishullin britanik.

Selina Afrum u mor në pyetje nga policia mbi bazat e kalimit ilegal nëpër territorin francez, por kjo rezulton e paligjshme mbi bazën e “direktivës së rikthimit” të BE-së. Sipas kësaj direktive, një emigranti ilegal i duhet dhënë urdhër të largohet brenda një afati 30-ditor vullnetarisht, e pas këtij afati, largimi i tij gjithsesi nuk duhet të përfshijë forcë të tepruar, apo rrezikimin e jetës së personit në fjalë.

Gjykata franceze e Kasacionit referoi rastin e zonjës Affum  në Gjykatën europiane të Drejtësisë, më e larta e Bashkimit Europian, vendimi i së cilës ishte:

“Direktiva e rikthimit pengon një shtetas joeuropian, i cili ende nuk është bërë subjekt i procedurave të kthimit mbrapsht, të mbahet në paraburgim vetëm sepse ai apo jo ka hyrë në territorin e një vendi anëtar në mënyrë ilegale, apo në kufijtë e zonës Schengen”. Megjithatë, ky vendim nuk ka të bëjë me rastet kur një emigrant “kapet në largim e sipër nga zona Schengen”.

Gjithsesi, ky vendim nuk do të aplikohet në Britaninë e Madhe apo Irlandë, pasi këto dy vende nuk janë pjesë e zonës “Schengen”. Ashtu sikurse edhe në Danimarkë, e cila pavarësisht se është pjesë e zonës së lëvizjes së lirë, ka të drejtën të zgjedhë të mos zbatojë apo të vetëpërjashtohet nga ndonjë politikë juridike e Bashkimit Europian.

Edhe ky vendim ka disa kushte të rëndësishme. Sipas tij, emigranti duhet të burgoset deri në 18 muaj, nëse ekziston “risku i kompromentimit gjatë largimit”, gjë që mund të interpretohet si “të qenit rrezik gjatë fluturimit”. Burgosja është e lejuar gjithashtu nëse personi është subjekt i një urdhri deportimi, por që ai ka refuzuar ta zbatojë, apo nëse ai është deportuar dhe ka tentuar të rihyjë ilegalisht në vendin ku kapet, duke shkelur kështu ndalimin e hyrjes.

/ Top Channel