Nazi i “Aurorës” jep dorëheqje nga posti në MKRS

Nazmi Sfishta, i njohur si anëtar i grupit muzikor “Aurora”, dhe i punësuar muaj më parë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës ka dhënë dje dorëheqje nga puna e tij në ministri. Ai e lajmëron edhe largimin e grupit “Aurora” nga LDK-ja.

“Dua të ju njoftoj se unë, personalisht, kam dhënë dorëheqje nga puna ime në Ministrinë e Kulturës dhe nga ky moment, ne grupi Aurora nuk jemi me LDK-në”, ka thënë Sfishta për Koha.net.

Arsyeja e largimit sipas tij është se nuk është me politikat kryeministrit Mustafa dhe se nuk dëshiron të ngrihet duke shpalosur gabimet e të tjerëve në ministri, transmeton Koha.net.

“Për arsye që nuk jam me politikën e Isa Mustafës për shumë arsye tashmë të njohura për opinionin publik unë jap dorëheqje nga posti im ne Ministri dhe ne grupi Aurora japim dorëheqje nga LDK-ja. Nuk dua të ngritem duke i shpalosur gabimet e të tjerëve”, ka thënë më tej Sfishta, duke e përdorur edhe një shprehje popullore në fund: “ PIKA, PIKA ËSHTË MBUSHUR KUPA”.

Posti i tij në MKRS ishte “zyrtar për aktivitete letrare në Departamentin e Kulturës”.