FFK formon edhe Superligën e Kadetëve

Sot më 31 maj, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e Agim Ademit, nënkryetar mbajti mbledhjen e vet të rregullt ku bisedoi për shumë çështje.

Në fillim nënkryetari Ademi edhe një herë, në emër të kryetarit Vokrri dhe KE, ka falënderuar, ish kryetarët e FFK-së, klubet, kryetarët e rajoneve, futbolldashësit, sponsorët, mediat, Policinë e Kosovës dhe të gjithë miqtë e FFK-së të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm që futbolli i Kosovës  është anëtarësuar në UEFA dhe FIFA.

Nënkryetari Agim Ademi ka përgëzuar edhe dy klubet KF”Feronikeli” dhe FC”Prishtina”, të cilët do të marrin pjesë në garat evropiane, e para në Ligën e kampionëve dhe e dyta në Europa ligë. Po ashtu u dha një raport i garave për Superligë dhe Ligën e Parë.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe njëherë ndeshjet e barazhit ku tashmë është caktuar që me 1 qershor zhvillohet ndeshja Drenica-Dukagjini në orën 16.00 stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ndërsa më 2 qershor në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas zhvillohet ndeshja Drita-Flamurtari.

Në ligën e parë ndeshjet e barazhit zhvillohen më 4 qershor në Stadiumin “Agron Rama” në Kastriot zhvillohet ndeshja Kosova e Prishtinës- Rilindja e Kosovës (Skivjan), ndërkaq më 5 qershor në të njëjtin vend zhvillohet ndeshja Vitia –Lepenci. Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16.00.

Për ndeshjet e barazhit u caktuan edhe mbikëqyrësit për Superligë, Agim Maloku, ndërsa për Ligën e Parë, Iljaz Mjaku.

Një vendim i rëndësishëm ka të bëjë me atë se që nga kampionati i ardhshëm të nisë Liga e Kosovës për kadetë (U-17), ku do të përfshihen 12 ekipe nga Superliga.

Është vendosur që të bëhet ofertë për sponsorizim të ligave dhe për të drejtat televizive për garat e Kosovës.  Në fund, sekretari i përgjithshëm foli për takimet që pati në UEFA duke shtuar se FFK-në e presin punë të mëdha.